Foto: ZKM

Kurti: Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit, u dëshmua skenari për gjakderdhje në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se sulmi i 24 shtator në Banjskë ka dëshmuar rrezikun, qëllimin e potenciali i grupeve kriminale që janë luftuar nga Qeveria për më shumë se dy vjet e gjysmë.

Sipas tij, vlera e armatimit ushtarak të sekuestruar në ketë rast është mbi 5 milionë euro.

Ai tha se më këtë vlerë të armatimit dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë.

“Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Janë përfshirë individ të sanksionuar nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar. Janë në kërkim të institucioneve tona të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqën në krah e përkrah presidentit të Serbisë, duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejt të shtetit serb në këtë mes”- tha Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë.

Ai tha se përpall këtij sulmi është dëshmuar profesionalizmi i Policisë së Kosovës.

“Ky është suksesi i tyre më i madh prej shpalljen së pavarësisë. Ju ftoj t’i falënderoni kudo që i shihni zyrtarët policorë”- tha Kurti.

Tutje kryeministri i Kosovës tha se sulmi i së dielës ka ekspozuar nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar.

“Sulmi terrorist i së dielës ka ekspozuar nevojën për bashkëpunime ndërkombëtar për mbrojtje të kufirit ne Serbinë. Pas dokumentimit të pjesëmarrës të Radoiciqit është vërtetuar rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë”- tha ai.

 

Një sulm fillimisht me armatim të rëndë ishte kryer ndaj një patrulle kufitare rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës. Një polic kufitar Afrim Bunjaku u vra nga ky sulm e një polic tjetër u plagos.

Pasi u mor informacioni për sulm ndaj policisë grupi terrorist u bart në Banjskë dhe u vendos në Manastirin e Banjskës. Për disa orë ata sulmuan policinë e më pas u arratisën.

Policia në bastisjet që ka kryer në shtëpi private përreth manastirit gjeti dhjetëra armatime.

Deri më tani të dhënat zyrtare flasin për 8 të arrestuar, përfshirë edhe pjesëtarë të grupit terrorist dhe 3 nga i njëjti grup të vrarë.