Albin Kurti dhe Ursula von der Leyen - Foto: ZKM

Kurti ia thekson Von der Leyenit nevojën për ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin që ka zhvilluar sot me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka përsëritur edhe një herë kërkesën që ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, të ekstradohet në Kosovë.

Millan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku, u plagos një tjetër e u lëndua një tjetër.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, Kurti po ashtu ka thënë se vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë është domosdoshmëri.

“Në lidhje me sulmin terrorist, paramilitar dhe kriminal të 24 shtatorit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ekstradimit të Milan Radoicic në Kosovë ku do të ballafaqohej me një gjykim fer dhe të drejtë për veprat e tij, dhe në të njëjtën kohë domosdoshmërinë e sanksioneve ndaj Serbisë në mënyrë që sulme të tilla mos përsëriten” – thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, Kurti e ka falënderuar presidenten e Komisionit Europian për përkushtimin e saj ndaj agjendës europiane të Kosovës, teksa e njoftoi atë me rezultatet e deritanishme të qeverisjes, zhvillimet e fundit në vend, takimin e 26 tetorit me liderët europianë dhe me qëndrimin e Kosovës në raport me propozimin e BE-së dhe SHBA-së për zbatimin e nenit 7, ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes bazike.

Përveç kësaj, Kurti e ka njoftuar edhe për projektet e ndryshme infrastrukturore, përfshirë ato të cilat tashmë kanë mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, por edhe projekte të tjera të cilat mund të përfitojnë nga mbështetja, sikurse është ai i hekurudhës Prishtinë-Durrës.

“Në takim u fol edhe për Planin për Zhvillim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfitimet e mundshme nga ai, si dhe për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përparësitë e tij për rajonin, përkatësisht Ballkanin Perëndimor”- thuhet në komunikatë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, është takuar sot edhe me presidenten Vjosa Osmaani, dhe pas takimit ajo ka theksuar se Kosova duhet të pranojë aAsociacionin ndërsa Serbia njohjen de facto të Kosovës.

Von der Leyen: Kosova të nis procedurat për Asociacionin, kurse Serbia njohjen de facto