Albin Kurti

Kurti fton qytetarët të aplikojnë në konkurset e Ndërmarrjeve Publike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ju ka bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë në konkurset e hapura në Ndërmarrjet Publike për pozitat e lira pune.

Kurti thotë se Ndërmarrjet Publike kanë potencialin që të jenë motori i zhvillimit ekonomik ngase sipas tij, operojnë në sektorët kyç.

“Ne jemi të bindur se ndërmarrjet publike kanë potencialin që të jenë motori i zhvillimit ekonomik ngase operojnë në sektorët kyç të ekonomisë si ai i energjetikës, minierave, komunikimeve postare e elektronike, transportit hekurudhor, e ujërave. Kjo na bën që të jemi të përkushtuar që në to të angazhohen profesionistë me aftësi e përgatitje të duhura krahas integritet personal”- shkruan Kurti.

Kryeminstri ju ka bërë thirrje të gjithëve, por me theks të veçantë grave, personave me nevoja të veçanta dhe pjesëtarët e komuniteteve që të aplikojnë në konkurset e hapura

“Andaj, ftojmë të gjithë, veçanërisht gratë, personat me nevoja të veçanta dhe pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, që të aplikojnë në konkurset e hapura për të realizuar këtë potencial dhe për t’i rikthyer ndërmarrjet tona publike në kontribues të zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies së gjithmbarshme”-  thekson Kurti.

Ndërmarrjet ku janë konkurset e hapura siç ka njoftuar kreu i ekzekutivit janë: Telekomi i Kosovës, Koporata Energjetike e Kosovës, Trepça Sh.A, Infrakos Sh.A, Kompania Rajonale e Ujitjes “Radoniqi-Dukagjini”, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” dhe Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK).