Kurti flet për shtensionimin në veri: Duhet të zbatohet marrëveshja e 3 qershorit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se qeveria që ai drejton po punon për zgjedhje të reja në katër komunat e veriut të vendit, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Në një adresim para gazetarëve, Kurti tha se ka një marrëveshje mes qeverisë që ai drejton dhe Bashkimit Evropian mbi shtensionimin e situatës në veriun e vendit që duhet të zbatohet.

“Është bërë një dakrodim me zv.km Bislimi me emisarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak lidhur me atë se si duhet zbatuar qëndrimi i 27 vendeve të BE i datës 3 qershor” – deklaroi ai.

“Pra ne kemi një dakordim, shtetin e Kosovës e përfaqëson Qeveria e Republikës, qeveria ka dërguar zëvendëskryeministrin, Bensik Bislimi, Bashkimin Evropian e përfaqëson zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian për politikë të jashtme dhe sigurisë, përfaqësuesi i lartë Josep Borrel, ai e ka dërguar përfaqësuesin e vet, emisarin Lajçak dhe është arritë dakordimin. Se si duhet të zbatohen kriteret dhe kjo marrëveshje duhet zbatuar dhe ka të bëjë me deeskalimin” – ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Tutje, ai foli edhe për masat e paralajmëruar nga BE ndaj Kosovës.

“Jemi duke u përgatitë që të ketë zgjedhje të reja në veri dhe sa i përket masave që janë quajtur të përkohshme dhe të kthyeshme, presim që ato të hiqen sa më parë dhe është e logjikshme që duhet të bëhen paraprakisht” – tha ai.