Kurti e quan Vuçiqin "Putini i vogël"
Kryeministri, Albin Kurti, e ka quajtur ‘Putini i vogël’ presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke thënë se vendi i tij po vazhdon të arsyetojë krimet e Rusisë në Ukrainë.
Kurti në një shkrim në Facebook tha se paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor nuk ka qenë kurrë më e rrezikuar.
“Me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnje Hercegovinës dhe Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar. Taktika të njëjta të inskenimeve të ngjarjeve e sulmeve për të fajësuar palën tjetër i kemi parë edhe në rajonin e vendin tone”, shkroi Kurti.
Kryeministri tha se presidenti rus, Vladimir Putin, është i interesuar që luftën në Ukrainë ta shpërndajë edhe në vatra tjera përmes strategjisë ‘eskalim për de-eskalim’.
“Tani më shumë se kurrë Putini është i interesuar që luftën në Ukrainë ta shpërndajë në vatra tjera. Strategjia e tij “eskalim për de-eskalim” nuk i funksionoi deri më tani falë rezistencës çlirimtare e heroike të qytetarëve ukrainas dhe tani ai don hapjen e vatrave të luftës në rajone e vende të tjera deri te kërcënimi nuklear në mënyrë që të krijojë kushte më të mira për të “dalë fitues” nga kjo luftë”, vazhdon shkrimi i kryeministrit Kurti.
Kurti në shkrimin e tij ka përsëritur rreshtimin e Kosovës përkrah NATO-s dhe Ukrainës, duke thënë se vendi bashkëndjen me popullin ukrainas.
Sot, bëhen dy muaj që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë.
Konflikti ushtarak i nisur nga Moska ka vrarë mijëra njerëz, ka shkatërruar qytete të tëra dhe ka detyruar miliona të largohen nga shtëpitë e tyre.