
Kurti: Dje pamundësuam një sulm terrorist, asgjë nuk mund të jetë më njësoj
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se gjatë ditës së djeshme kanë pamundësuar një sulm terrorist dhe se asgjë më nuk mund të jetë njësoj.
Këtë deklarim Kurti e bëri në mbledhjen komemorative të organizuar me rasin e rënies në detyrë të rreshterit, Afrim Bunjaku. Të pranishëm ishin edhe Presidentja Vjosa Osmani dhe kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Sot është ditë zie sepse është ditë pikëllimi për humbjen e rreshterit tanë. Bashkë me pikëllimin dhe dhimbjen ndjejmë edhe krenari për Afrimin dhe Policinë tonë. Ne pamundësuam një skenar terrorist. Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj policisë tonë nga një grup i armatosur shumë e i mbështetur nga Serbia. Nga dje asgjë më nuk mund të jetë njësoj”- është shprehur Kurti.
Sipas tij, faktet dolën para syve tanë e të ndërkombëtarëve.
“Faktet dolën para syve tanë e të bashkësisë ndërkombëtare. Ky reagim i matur i institucioneve tona ishte i natyrshëm”- shtoi tutje ai.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi terrorist nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.
Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.
Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani e ka dekoruar me urdhërin “Hero i Kosovës”, Rreshterin Afrim Bunjaku i cili u vra dje në Banjskë nga një grup i armatosur.