Foto: ZKM

Kurti diskuton me ambasadorët e QUINT-it për marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Përfaqësuesit e Përhershëm të shteteve të QUINT-it në OSBE dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për propozimin evropian, për të cilin Kurti ka thënë se është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara.

“Ambasadorët vlerësuan ndryshimet pozitive në vend dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma. Në të njëjtën kohë, konfirmuan mbështetjen e vendeve të tyre ndaj Kosovës”- thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në këtë takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe shteteve të QUINT-it në kuadër të fushëveprimit të OSBE-së dhe se si ky bashkëpunim mund të thellohet gjatë gjysmës së dytë të mandatit qeverisës.

Kurti tutje ka njoftuar ambasadorët me zhvillimet e fundit në vend dhe për punën dhe të arriturat e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin ekonomik e demokratik që janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare përfshirë këtu edhe atë të Bashkimit Evropian.

“Me trendin pozitiv të rritjes ekonomike në dy vitet e fundit dhe përmirësimin për 20 pozita në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International, për 17 pozita në indeksin e Reporterëve Pa Kufi për lirinë e shtypit dhe renditjen në vendin e parë për herë të dytë radhazi në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sundimit të ligjit sipas Projektit të Drejtësisë Botërore, Kosova po dëshmon se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë krah për krah”- ka thënë ai.

Gjithashtu, ambasadorët u njoftuan edhe për politikat sociale, si ajo e arsimit publik falas, shtesave për lehona dhe fëmijë, dhe masat e punësimit në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Ambasadorët e QUINT-it në OSBE janë Michael Carpenter, Përfaqësuesi i Përhershëm i ShBA-së, Christine Fages, Përfaqësuese e Përhershme e Francë, Gesa Braeutigam, Përfaqësuese e Përhershme e Gjermanisë, Stefano Baldi, Përfaqësuesi i Përhershëm i Italisë dhe Neil Bush, Përfaqësuesi i Përhershëm i Mbretërisë së Bashkuar.