Foto:ZKM

Kurti bisedë telefonike me ministrin e jashtëm turk, flasin për bashkëpunim në fushën e sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.

Ai uroi ministrin Fidan për rezultatet e zgjedhjeve dhe detyrën e re, e sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti i ofroi bashkëpunim të plotë dhe të ngushtë në avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe të Turqisë.

Në këtë bisedë u tha se u fol edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Fidan për mbështetjen e Turqisë ndaj Kosovës në kuadër të NATO-s si dhe mbështetjen ndaj Forcave të Sigurisë së Kosovës” – thuhet në njoftim.

Tutje u rikujtua që së fundmi arsenalit të ushtrisë së Kosovës i janë shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët janë blerë pikërisht nga Turqia.

“Duke vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Turqisë, në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale me interes të përbashkët” – vazhdohet në komunikatën e ZKM-së.

Kurti gjithashtu u tha se e ftoi ministrin e jashtëm turk për vizitë zyrtare në Kosovë dhe se Turqia është vend mik e partner i Kosovës, e cila është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe që vazhdimisht mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.