Kursimi i rrymës, në nëntor 180,276 familje plotësuan kriteret për subvencionim

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka dalë me një njoftim për familjet që kanë kanë kursyer energjinë gjatë muajit nëntor.

Ai ka bërë të ditur se për muajin nëntor 180,276 familje kanë plotësuar kriteret për subvencionim gjersa ka thënë se për ata që kanë kursyer rrymën gjatë muajit dhjetor, subvencioni do të procesohet në muajin e ardhshëm.

“Për ata që kanë kursyer energjinë, Ministria e Financave ka përllogaritur dhe procesuar edhe për muajin nëntor, dhe kjo tash mund të shihet në llogarinë tuaj online me KESCO me përshkrimin “GOVSUB – Energy Saving/2022/P11”- ka bërë të ditur Murati.

Ai tutje, ka thënë se çdo kilovat i kursyer rezulton me faturë më të lirë.

“Çdo kW i kursyer rezulton me faturë më të lirë për ju, subvencion të faturës nga shteti, e më pak import për shtetin” – është shprehur ministri.

Në shtator të këtij viti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar për pakon e re për ta përballuar inflacionin. Ai kishte bërë të ditur se do të subvencionohen të gjithë qytetarët të cilët kursejnë rrymën elektrike.

Qytetarët do të subvencionohen për dyfishin e kursimit të energjisë elektrike. Konsumatorët nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi do të përdoren të dhënat nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati,  kishte njoftuar që nëse një familje ka shpenzuar 1,000 kilovatë në shtatorin e vitit të kaluar ndërsa në shtatorin e këtij viti ka harxhuar 900 kilovatë, ajo do të subvencionohet për dyfishin e kursimit, do të thotë 20% (pasi që 10% është kursimi në mes dy muajve, ndërsa dyfishi i kursimit është 20%).

Si do të bëhet subvencionimi i konsumatorëve që kursejnë energjinë elektrike?