Foto: Ilustrim

Si do të bëhet subvencionimi i konsumatorëve që kursejnë energjinë elektrike?

Qeveria e Kosovës nga muaji shtator do të filloj të subvencionoj qytetarët të cilët kursejnë energjinë elektrike. Ky subvencionim i energjisë elektrike, do të jetë në kuadër të pakos që është përgatitur nga ekzekutivi për të përballuar inflacionin.

Qytetarët do të subvencionohen për dyfishin e kursimit të energjisë elektrike. Konsumatorët nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi do të përdoren të dhënat nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati kishte njoftuar që nëse një familje ka shpenzuar 1,000 kilovat në shtatorin e vitit të kaluarm ndërsa në shtatorin e këtij viti ka harxhuar 900 kilovatë, ajo do të subvencionohet për dyfishin e kursimit, do të thotë 20% (pasi që 10% është kursimi në mes dy muajve, ndërsa dyfishi i kursimit është 20%).

Subvencionimi do të bëhet direkt në llogaritë e konsumatorëve, bënë të ditur Ministri i Financave.

“Kjo masë do të filloj së zbatuari që nga muaji shtator, pra është e rekomandueshme që qytetarët të fillojnë të kursejnë nga tani. Subvencionimi do të jetë asisoji që nëse shpenzon më pak shembull, në muajin shtator të këtij viti krahasuar me muajin e vitit të kaluar, do të subvencionohet. Nëse shembull një familje ka shpenzuar 1000 kilovat shtatorin e 2021 ndërsa në shtatorin e këtij viti ka shpenzuar 900 kilovat atëherë mund të thuhet se ka pasur kursim prej 10%. Ne do ta subvenciojmë dyfishin e kursimit. Nuk ka nevojë për aplikim sepse këto të dhëna do t’i marrim nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Subvencionimi do të bëhet direkt në llogarinë e konsumatorëve”- ka thënë Murati.

Për shkak të krizës energjetike në Kosovë kishin filluar reduktimet e energjisë elektrike në muajin gusht. Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë, KEDS, kishte njoftuar se nuk kanë mundësi financiare që të blejnë energji elektrike andaj do të furnizohen vetëm nga prodhimi vendor.

Një megavat energji elektrike sot mund të blihet për 429 euro në bursën hungareze.

Kosova kishte paguar mbi 200 milionë euro për import të energjisë elektrike dimrin e kaluar për shkak të krizës energjetike dhe mos prodhimit të sasisë së duhur të energjisë  nga KEK.

Për shkak të krizës energjetike në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të vitit 2022, Qeveria e Kosovës ishte zotuar për subvencionim prej 100 milionë euro. 41 milionë euro në kuadër të këtij subvencioni është ndarë nga Qeveria, muajin e kaluar.