Komuna e Kamenicës. Foto: Kallxo.com

Kundërshtohet mbyllja e disa shkollave në Kamenicë

Nxënësit dhe mësimdhënësit e disa shkollave në komunën e Kamenicës vazhdojnë të mos e respektojnë vendimin e kryetarit të kësaj Komune për fillimin e reformave në arsim. Vendimi parasheh mbylljen e disa shkollove të cilat kanë numër të vogël të nxënësve, e të cilën e ka mbështetur edhe Ministria e Arsimit.

Vendimi i Qëndron Kastratit, kryetar i Komunës së Kamenicës, për mbylljen e disa shkollave, vazhdon të kundërshtohet nga nxënësit, prindërit por edhe mësimdhënësit.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Kamenicës, Mirhane Morina, tha për Radio Kosovën se shumë nxënës nuk po e respektojnë vendimin.

“Jo të gjithë nxënësit të cilët janë caktuar të ndjekin mësimin në shkollat e Kamenicës nuk janë duke ardhur. Nxënësit e fshatit Busavatë 104 prej tyre nuk janë duke e respektuar vendimin. Kanë qenë disa rrethana të cilat na kanë sanksionuar në këtë drejtim, për arsye  që ka qenë edhe fushatë dhe është shfrytëzuar si moment  ku  prindërit janë nxitur dhe janë organizuar për të kundërshtuar”, tha ajo.

Ndërsa drejtori i departamentit për arsim parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, i tha Radio Kosovës se Ministria e ka mbështetur fillimin e reformave, por jo edhe procedurat për realizmin e tyre.

“Opinioni është i njoftuar rreth reformës që ka marrë kryetari i komunës dh ne e kemi mbështetur si reformë, si parim, ne nuk e kemi mbështetur për procedurat të cilat janë duke u zhvilluar atje, por si do qoftë është përgjegjësi e komunës dhe drejtorisë së arsimit ”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, bëri të ditur  se vendimin e ka marrë pas komunikimit të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit. Rreth këtij vendimi, banorët e disa fshatrave të Komunës së Kamenicës, protestuan disa herë para Kuvendit Komunal të Kamenicës, për të kundërshtuar vendimin e Kastratit për mbylljen e disa shkollave, protesta këto që i ka mbështetur edhe Sindikata e Arsimit./RTK