Kthehet në vendin e punës ish-komandanti i stacionit policor në Gjakovë, i akuzuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare

Ish-komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj, është kthyer përsëri në punë.

Gjokaj ishte akuzuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Kristë Gjokaj nga Gjykata e Gjilanit në korrik të vitit 2021 ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 120 ditësh, dënim ky për të cilin i ishte dhënë mundësia ta zëvendësonte në dënim me gjobë prej 2 mijë eurosh me pëlqim të të njëjtit. Rasti nga Apeli ishte kthyer në rigjykim.

Në janar të këtij viti, Gjykata e Gjilanit në rigjykim mori vendim duke refuzuar akuzat e Prokurorisë ndaj Kristë Gjokajt dhe Gëzim Biblekajt për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Lajmin për kthimin e Gjokajt në vendin e punës e ka bërë të ditur mbrojtësi i tij, avokati Tomë Gashi përmes një postimi në Facebook.

“Drejtësi e vonuar. Komandant Kristë Gjokaj përsëri në punë. Mirë u bë që Komandanti u kthye në punën e tij, sepse rrallë kujt i rrin më mirë uniforma e Policisë së Kosovës”- ka shkruar Gashi në postimin në Facebook.

Gjokaj së bashku me Shaban Limanajn, Gëzim Biblekajn, Agron Idrizin e Milot Ukajn ishin dënuar nga Gjykata e Gjilanit në lidhje me veprën penale – keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Kristë Gjokaj ishte dënuar me burgim prej 120 ditësh, dënim ky i cili u zëvendësua me gjobë prej 2 mijë eurosh me pëlqimin e tij.

Policëve të tjerë, Gëzim Biblekajt dhe Agron Idrizit i janë shqiptuar dënimet me nga 90 ditë burgim, i cili është zëvendësuar me gjobë prej 1 mijë euro.

Milot Ukaj sipas Gjykatës ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 150 ditësh por edhe ky dënim është zëvendësuar me gjobë prej 1 mijë e 500 euro ndërsa Sh.L. i ishte shqiptuar dënimi me 90 ditë burgim por është zëvendësuar me 700 euro gjobë.

Rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Në rigjykim Gjykata e Gjilanit kishte refuzuar akuzat e Prokurorisë ndaj Kristë Gjokaj dhe Gëzim Biblekajt për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Kurse nga akuza për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ishin liruar Bekim Preqi dhe Agron Idrizi.

Gjykata e Gjilanit të pandehurin Milot Ukaj e ka gjetur fajtor për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 150 ditëve, dënimi i zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 1,500 euro.

Kurse Shaban Limanajn Gjykata e  kishte gjetur fajtor për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar duke i shqiptuar dënim me burgim prej 90 ditëve, dënim i cili i zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 700 euro.

Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Kristë Gjokaj duke qenë në pozitën e komandantit në stacionin policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, në atë mënyrë që përderisa i njëjti ishte i arrestuar dhe i prangosur për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale, e godet me grusht në fytyrë me ç’rast të dëmtuarin e rrëzon në dysheme.

Gjithnjë sipas aktakuzës, katër të akuzuarit e tjerë Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj akuzohen se gjatë detyrës zyrtare, si zyrtarë policor, në bashkëkryerje kanë keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, me qëllim që nga i njëjti të nxjerrin informacione për personat e tjerë të përfshirë në kryerjen e dyshuar të dy veprave penale.

Aktakuza përshkruan veprimet e të akuzuarve në atë mënyrë që fillimisht i akuzuari Milot Ukaj pas mesnate, të dëmtuarin fillon ta godasë me duar dhe këmbë, ku pastaj edhe dy herë të tjera pas diku rreth 25 minutave e sulmon dhe e kap për fyti duke e goditur vazhdimisht, dhe si pasojë i dëmtuari mbetet i shtrirë në tokë.

Gjithnji sipas aktit akuzues, të dëmtuarin e kanë sulmuar edhe të akuzuarit e tjerë duke e goditur me grushta dhe shkelma në pjesë të ndryshme të trupit, me çka i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore për çka edhe ishte dërguar për ndihmë mjekësore.

Ndërkaq, i akuzuari Shaban Limanaj akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare pasi që duke qenë në pozitën e përgjegjësit për qendrën e ndalimit në Gjakovë, i ka mundësuar të akuzuarve të futen në qelinë e të dëmtuarit Muhamer Raifi, ku pastaj e kanë keqtrajtuar fizikisht.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.