Gjykimi ndaj policëve në Gjakovë për keqtrajtim. FOTO-Fitim Limani/KALLXO.com

"Ka tentu me ma nxanë frymën", dëshmitari rrëfen rrahjen nga policët në Gjakovë

Kristë Gjokaj, major në Policinë e Gjakovës dhe ish- Komandant i Stacionit të Policisë në Gjakovë, Bekim Preqi, kapiten, si dhe zyrtarët policorë, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj  kanë dalur sot para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me aktakuzën për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Ndërsa i akuzuari Shaban Limanaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këto vepra sipas Prokurorisë përfshijnë rrahje me grushta të një personi të arrestuar që ishte i prangosur brenda Stacionit të Policisë në Gjakovë.

Në këtë seancë, personi i dëmtuar, M.R  fillimisht tha se nuk do të flasë pasi nuk e ka avokatin e tij dhe pasi që nuk është i përgatitur. Por pas propozimit të avokatëve, ai u obligua të dëshmojë nga trupi gjykues.

Ai më pas tha se i mbështet deklaratat e tij në Prokurori dhe në Inspektoratin Policor. Ai gjithashtu tha se është arrestuar në një park natën kur edhe (sipas Prokurorisë) ka ndodhur rasti.

“Mua më kanë arrestuar 3 apo 4 polic, unë kam pranuar që të arrestohem por ata më kanë rrahur e më kanë goditur me shkelma ftyrës. Policët pastaj më kanë dërguar në stacion me veturë dhe më kanë lënë shtrirë për toke dhe me duar të lidhura. Pastaj kanë ardhur policë të ndryshëm dhe të gjithë më kanë goditur me duar dhe shkelma në gjithë trupin”, tha i dëmtuari.

Sipas tij, më pas  ka ardhur dikush nga policët dhe iu ka thënë “kujdes se janë kamerat” dhe më pas e kanë dërguar në një zyrë ku nuk ka pasur kamera dhe të gjithë e kanë goditur pa ndalur.

Tutje ai tha se e kanë dërguar me një qeli e ku edhe aty kanë shkuar dhe e kanë goditur gjithsecili që ka hyrë brenda.

“Kur ka ardhur ndihma e parë mjeku ju ka thënë “mos e rrehni më se mundet me ju mbetë në dorë”, pas goditjeve unë kam vjellë dhe mjeku ju tha “shyqyr që paska vjellë se ka mujt me ju mbetë në dorë”. Deri sa e kam pritur vendimin për caktimin e paraburgimit një polic i cili edhe është në sallë dhe të cilin mund ta identifikoj, ka vazhduar me ushtru dhunë ndaj meje dhe në një moment edhe ka tentu me ma nxanë frymën”, tha tuje i dëmtuari.

Ai në vazhdim tha se  në fillim e ka goditur Kristë Gjoka me grushta deri sa e ka rrëzuar në tokë.

“Si ka ardhur tek unë Kristë Gjoka ka filluar me më godit dhe me më sha. Fillimisht se kam ditur se kush është por pastaj në Inspektorat Policor  më kanë treguar se është ai. Pasi më ka goditur Komandanti dhe ka shkuar, mua më ka goditur Milot Ukaj në fytyrë dhe më ka rrëzuar në tokë (duke bërë me dorë nga i akuzuari Ukaj). Ky më ka goditur pas Kristë Gjokës me shkelma dhe boksa. Para se me më arrestu Policia më kanë shtrirë për toke duke përdorur dhunë dhe as burgu i Pejes nuk më ka pranuar pasi ka thënë se e ka gjendjen shumë të keqe “, tha tutje ai.

Tutje, duke i shikuar në sy të akuzuarit, i dëmtuari tha se Kristë Gjokën e ka parë vetëm njëherë kurse Bekim Preqin nuk e njeh.

Ndërsa të akuzuarit e tjerë Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukajn i identifikoi duke thënë se “Milot Ukaj ka përdorur dhunë më së shumti nga gjithë të tjerët”. Tutje i dëmtuari tha se të akuzuarin Shaban Limanaj nuk i kujtohet se e ka parë ndonjëherë.

Seanca e njëjtë do të vazhdojë edhe më 19 mars.

Ndryshe, sipas aktakuzës i akuzuari Kristë Gjokaj, duke qenë në pozitën e komandantit në stacionin policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar të dëmtuarin M.R, në atë mënyrë që përderisa i njëjti ishte i arrestuar dhe i prangosur për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale, e godet me grusht në fytyrë me ç’rast të dëmtuarin e rrëzon në dysheme.

Gjithnjë sipas aktakuzës, katër të akuzuarit tjerë Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj akuzohen se gjatë detyrës zyrtare, si zyrtarë policor, në bashkëkryerje kanë keqtrajtuar të dëmtuarin M.R me qëllim që nga i njëjti të nxjerrin informacione për personat tjerë të përfshirë në kryerjen e dy veprave penale.

Aktakuza përshkruan veprimet e të akuzuarve, në atë mënyrë që fillimisht i akuzuari Milot Ukaj pas mesnate, të dëmtuarin fillon ta godasë me duar dhe këmbë, ku pastaj edhe dy herë të tjera pas diku rreth 25 minutave e sulmon dhe e kap për fyti duke e goditur vazhdimisht, dhe si pasojë i dëmtuari mbetet i shtrirë në tokë.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, të dëmtuarin e kanë sulmuar edhe të akuzuarit tjerë duke e goditur me grushta dhe shkelma në pjesë të ndryshme të trupit, me çka i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore për çka edhe ishte dërguar për ndihmë mjekësore.

Ndërkaq, i akuzuari Shaban Limanaj akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare pasi që duke qenë në pozitën e përgjegjësit për qendrën e ndalimit në Gjakovë, i ka mundësuar të akuzuarve të futen në qelinë e të dëmtuarit M.R, ku të njëjtit pastaj e kanë keqtrajtuar fizikisht.

Ish-Komandanti i akuzuar i Policisë së Gjakovës ballafaqohet me rrëfimet e dëshmitarëve në Gjykatë