Kryetari Rama: Krijimi i Policisë së Kryeqytetit urgjente

Ngjarja e mbrëmshme në një nga lokalet e kryeqytetit, e që sot në mëngjes një nga të plagosurit vdiq si pasojë e plagëve të marra në pjesën abdominale të trupit, ngjalli reagime të shumta.

Mëngjesin e sotëm , Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka mbledhur ekipin për të biseduar në lidhje me sigurinë në kryeqytet.

Në këtë takim kanë marrë pjesë Drejtori për Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica dhe Drejtori i Policisë së Regjionit të Prishtinës Basri Shabani.

“Diskutuam për çështjen e sigurisë në kryeqytet dhe hapat të cilët duhet të ndërmarrim bashkërisht për krijimin e policisë së kryeqytetit e cila është urgjentisht e nevojshme dhe do të na ndihmonte në rritjen e nivelit të sigurisë në Prishtinë”- ka shkruar Rama në Facebook.

Sipas tij siguria në kryeqytet është prioritet i komunës.

17 persona kanë mbetur të plagosur e lënduar mbrëmjen e kaluar në lokalin “Bon Vivant”.

Një nga të plagosurit ka vdekur mëngjesin e sotëm, pesë të tjerë janë jashtë rrezikut për jetë dhe janë duke u trajtuar ende.

Disa nga të pranishmit në atë lokal janë lënduar nga shishet dhe xhamat e qelqit.

Policia e Kosovës gjatë ditës njoftoi për rastin tragjik që ndodhi mbrëmë në kryeqytet.

Njësi të shumta policore dolën në orët e vona të mbrëmjes së kaluar pas informacioneve për të shtëna me armë në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se ka gjetur katër gëzhoja në vendin e ngjarjes.