Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas tërheqjes së Odës së Avokatëve, reagon ministrja Haxhiu

Oda e Avokatëve të Kosovës ka shfuqizuar vendimin i cili parashihte moscaktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt.

Në lidhje me këtë vendim ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se shfuqizimi i vendimit që sipas saj nuk kishte bazë ligjore i hap rrugën vendimit të bashkëpunimit institucional.

“E vlerësoj reflektimin e Odës së Avokatëve të Kosovës. Shfuqizimi i vendimit që nuk kishte bazë ligjore i hap rrugën vazhdimit të bashkëpunimit institucional”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Haxhiu tutje ka thënë se si përfaqësues të institucioneve “duhet të jemi në shërbim të ligjit dhe interesit të përgjithshëm dhe assesi interesave individuale”.

Këtë vendim e ka kundërshtuar nënkryetari i OAK, Naim Rudari, i cili e ka quajtur dorëzim, shfuqizimin e këtij vendimi.

“Oda e Avokatëve të Kosovës DORËZOHET para presionit, kanosjeve e hetimeve të kundërligjshme e të padrejta nga akterët e “Drejtësisë” dhe shfuqizon një vendim të drejtë, të mbështetur në fakte të shumta e në një procedurë hetimore”, ka shkruar Rudari.

Ai ka thënë se vendimi për mos angazhimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në rastin konkret ishte i nevojshëm.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se sot ka zhvilluar një takim të përbashkët me Odën e Avokatëve.

Në njoftim thuhet se u diskutua çështja e përfaqësimeve, qasjes së avokatëve në gjykatë, përmirësimit të thirrjeve të palëve, pa përjashtuar thirrjet në formë elektronike, përfaqësimit të palëve me asistencë sociale dhe tarifat për ex-officio.

Kryetari i Degës Rajonale të OAK-së në Prishtinë, Nasuf Hasani, ka kërkuar dorëheqjen e Këshillit Drejtues, për shkak të vendimit të parë të cilin e ka cilësuar të kundërligjshëm.

Në shkurt të këtij viti , gjykatësja Violeta Husaj- Rugova, kishte thënë se pasi që Oda e Avokatëve të Kosovës refuzon caktimin e një avokati për Shaban Gogaj, ajo tha se gjykata do ftojë të gjithë avokatët në Kosovë deri në plotësimin e kushteve ligjore.

Këtë deklarim gjykatësja e bëri në seancën, ku Shaban Gogaj po akuzohet për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Në anën tjetër gjykata kishte dënuar me 250 euro gjobë për të treten herë radhazi avokatin Gëzim Kollqaku, i cili është caktuar nga gjykata si mbrojtës i Gogajt.

Avokati u dënua nën arsyetimin se është duke zvarritur procesin gjyqësor.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.