Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryeministri në detyrë: Ekonomia po i kthehet normalitetit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se ekonomia po i kthehet normalitetit, pasi qarkullimi është rritur dukshëm.

Sipas Hotit të hyrat nga dogana në janar 2021 janë 11 për qind më të larta se të janarit 2020, kur nuk ka pasur pandemi dhe kufizime.

Gjithashtu Hoti ka thënë se të hyrat nga ATK nuk kanë ndryshuar.

“Të hyrat nga ATK në janar 2021 janë të ngjashme me janarin e vitit 2020”, ka shkruar Hoti.

Sipas Hotit, ky normalizim, sic e ka quajtur ai ka ndodhur për disa arsye.

“Kthimi në normalitet është rezultat i: Pakos së rimëkëmbjes për vitin 2020 prej 365 mil euro, Ligjit për rimëkëmbje që ka mobilizuar menjëherë në dhjetor mbi 200 mil euro për qytetarë, Pakos së rimëkëmbjes për vitin 2021 në shumë prej 222 mil euro që ka nisur të zbatohet, si dhe Efektit të shpenzimeve të diasporës në dhjetor të vitit të kaluar”, ka shkruar Hoti.

Hoti në përfundim të publikimit ka thënë se Kosova do ta mund pandeminë me ardhjen e vaksinës.