Kryeministri Albin Kurti viziton Kombëtaren e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot e ka vizituar Kombëtaren e Kosovës që po qëndron në hotelin “Emerald”, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës.
Kurtit iu është dhuruar fanella e Kosovës me numrin një.
Kryeministri i Kosovës i ka përgëzuar futbollistët “Dardanë” për paraqitjet e tyre dhe i ka uruar sukses në ciklin për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
“Kurti theksoi se futbolli në Kosovë gjithmonë ka qenë sport i dashur, derisa tani sukseset e djemve dardanë po e bëjnë krenar të gjithë popullin. Ai u shpreh i lumtur që në kampin e Dardanëve ekziston një atmosferë shumë e mirë dhe harmoni ndërmjet lojtarëve, pasi kjo është garancë për suksese të reja. Në anën tjetër, presidenti Agim Ademi duke e uruar kryeministrin Kurti për detyrën e marrë, e falënderoi atë për vizitën dhe mbështetjen ndaj ekipit Kombëtar dhe i dhuroi një fanellë të ekipit kombëtar. Ndërkaq, në emër të futbollistëve kryeministrin Kurti e përshëndeti kapiteni Samir Ujkani, i cili falënderoi institucionet dhe tërë popullin për përkrahjen e madhe që i japin ekipit kombëtar, duke u zotuar se do të japin edhe më tutje maksimumin në fanellën e shenjtë dardane”, thuhet në njoftimin e FFK-së.