Foto: AVONET

Kritikohet mirëmbajtja e rrugëve në Viti, flasin nga Komuna

Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET e ka cilësuar të dobët mirëmbajtjen dhe riparimin e rrugëve nga kompania “Zuka Company” në Viti.

Në një deklaratë për media, AVONET kanë thënë se riparimi i gropave në rrugët e territorit të komunës së Vitisë nuk është me standardin e kërkuar.

Lidhur me këtë deklaratë, nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, ka thënë për KALLXO.com se është takuar me inxhinierin përgjegjës dhe kanë biseduar për këtë çështje.

“Sot e kam thirrë përgjegjësin e kompanisë. Në bisedë me inxhinierin ai në aspektin profesional më ka bindur se ai ka të drejtë pasi tha se lartësia të cilën e lë mbushja e gropave ekzistuese krijon pamundësinë e ngjeshjes si një asfalt i ri. Mirëpo, me kalimin e kohës lartësia bie në nivelin e asfaltit ekzistues”, ka thënë Aliu.

Sipas AVONET, operatori ekonomik “Zuka Company” ka një kontratë për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve në territorin e komunës së Vitisë.

AVONET ka kërkuar nga kryetari i Komunës, Sokol Haliti, që të marrë masa ndaj operatorit ekonomik.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me “Zuka Company”, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli kompania nuk ka dhënë përgjigje.

Foto: AVONET
Foto: AVONET
Foto: AVONET
Foto: AVONET