Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krerët institucional urojnë Fitër Bajramin

Krerët e institucioneve shtetërore, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë uruar qytetarët për festën e Fitër Bajramit.

Osmani ka uruar qytetarët që ta kalojnë festën në një atmosferë  dashurie, shprese, solidariteti e humanizmi.

“Le të shërbejë kjo ditë feste për t’u afruar me njëri-tjetrin, sikurse edhe për t`i mbështetur njerëzit e tjerë në nevojë”- ka shkruar Osmani.

Tutje Osmani ka uruar që të gjithë besimtarëve të iu pranohen lutjet dhe sakrifica përgjatë muajit të Ramazanit.

Ndërsa, kryeministri i vendit Albin Kurti ka uruar që kjo festë të ju sjellë gëzim dhe paqe.

“Si ditë e besimit dhe shpresave të reja qoftë ditë e ripërtëritjes së dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Në solidaritet me të varfërit e të vetmuarit, kjo festë ua mbushtë zemrat me mirënjohje”- ka thënë Kurti duke uruar mirësi në shtetin tonë e Kosovës.

Ndërkaq, kryekuvendari Glauk Konjufca ka thënë se këto ditë të veçanta hareje, paqja, harmonia dhe lumturia duhet të jenë prioriteti ynë kryesor.

“Të udhëhequr nga kjo dashuri, të përkushtohemi edhe më shumë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme në Kosovë dhe më gjerë”- ka thënë Konjufca.

Ditën e sotme, besimtarët myslimanë po festojnë Fitër Bajramin.