Krerët e shtetit takohen me ambasadorët e QUINT-it

Ambasadorët e vende të QUIN-it më 03.04.2024 janë takuar me krerët e shtetit të Kosovës, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Pa dhënë detaje tjera, Presidenca njoftoi se tema e takimit ishte lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Debati plenar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të mbahet më 18.04.2024.

Në mbledhjen e mbajtur nga Komiteti i Çështjeve Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Paris më 27.03.2024 është rekomanduar që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

“Hapi tjetër: një debat plenar – që pritet më 18.04.2024 – dhe një votim nga Kuvendi i plotë mbi Opinionin e tij statutor”- ka njoftuar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në rrjetin social “X”.

Kosova ka aplikuar më 12.05.2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Dy trupat kryesorë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.