Këshilli i Evropës, Foto: Ilirjana Hoti/Kallxo.com

Më 18 prill do të mbahet debati plenar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës

Në mbledhjen e mbajtur nga Komiteti i Çështjeve Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Paris më 27.03.2024 është rekomanduar që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës.

“Hapi tjetër: një debat plenar – që pritet më 18 prill – dhe një votim nga Kuvendi i plotë mbi Opinionin e tij statutor”- ka njoftuar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në rrjetin social “X”.

Anëtarët e delegacionit të Kosovës në Këshill të Europës kanë njoftuar që është votuar në favor të Kosovës raport- opinioni i raportueses Dora Bakojanis në mbledhjen e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, me 31 vota për dhe 4 kundër.

Për këtë zhvillim në Paris të Francës ka reaguar edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Kosova kalon suksesshëm votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të KiE. Opinioni rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën.

Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12.05.2022.

Në prill të vitit 2023, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ditë më parë, tre liderët e shtetit: presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën, Bakojanis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Europës.

Këshilli i Europës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.

(Shënim: Artikulli është edituar në pjesën ku flet për numrin e votave nga 34 me 1, në 31 me 4. Koha e editimit 27.03.2024 ora 19:48)