Krasniqi pas takimit me Escobar e Lajçak: Asnjëherë nuk kam parë shqetësim më të madh te ndërkombëtarët

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur pas takimit me me emisarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, duke thënë se asnjëherë nuk ka parë shqetësim më të madh tek ndërkombëtaret në lidhje me situatën në Kosovë.

Sipas tij, e gjithë kjo bie nën përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës.

“Diskutuam për çështjet e fundit, për relacionet e Kosovës me SHBA. PDK ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë këtyre ditëve, sidomos pas të premtes, pasi Qeveria në mënyrë të fshehur pa koordinim ka marrë veprimet që nxitën tensione” – tha kryetari i PDK-së.

Ai tha se nga emisarët perëndimor nuk ka marrë ndonjë kërkesë konkrete, përveçse informim të detajuar rreth situatës.

“Nuk mund të them se ka pasur kërkesa, më shumë informim të detajuar. Asnjëherë nuk kam parë një shqetësim më të madh, nuk është ndjenjë e mirë të dëgjosh përfaqësuesit duke shprehur këtë zhgënjim me Qeverinë” – tha Krasniqi para gazetarëve.

Krasniqi ka kritikuar edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani, duke thënë se nuk duhet të heshtë karshi kësaj situate.

“Është e paarsyeshme që presidentja të heshtë, është komandante e ushtrisë, e përjashtimi i ushtrisë nga ushtrimi ‘Defender’ është përgjegjësi edhe e saj. Nuk kam dëgju që ka folur, ndërsa 1 mijë ushtarë të Kosovës janë zhgënjyer nga përjashtimi” – tha i pari i PDK-së

Të dy emisarët erdhën në Kosovë pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Ata kanë arritur dje në Prishtinë, duke zhvilluar takimin e parë me kreun e ekzekutivit, Albin Kurtin, ndërsa sot pritet t’i takojnë edhe liderët e partive opozita te për të vazhduar pastaj edhe në kryeqytetin serb, Beograd.

Pas takimit të djeshëm me Kurtin, Lajçak përsëriti edhe njëherë kërkesat e BE-së, karshi palës kosovare.

“Ne kemi paraqitur propozime në emër të bashkësisë ndërkombëtare që përmban tre elemente: E para: shtensionimi i situatës në terren. E dyta: zgjedhje të reja të shpejta në veri, dhe së treti: rikthimi në dialog dhe procesi i normalizimit” – ka thënë Lajçak pas takimit.

Ndërsa Escobar theksoi se nuk ka parë kaq shumë unitet në komunitetin transatlantik dhe se pothuajse çdo mik i Kosovës ka bërë të njëjtat kërkesa.

“Nuk kam parë kaq shumë unitet në komunitetin transatlantik, nga SHBA, Bashkimi Evropian, NATO dhe pothuajse secili mik i Kosovës kanë bërë të njëjtat kërkesa. Shpresoj që do të dëgjohemi. Jemi në fillim të misionit tonë” – ka deklaruar Escobar.

Sipas zëdhënësit të BE-së Petar Stano, emisarët kanë ardhur në Kosovë rikonfirmuar kërkesat e Brukselit dhe Uashigntonit, në lidhje me hapat urgjent që duhet ndërmarrë drejt qetësimit të situatës në veri të Kosovës.

“Lajçak dhe Escobar do përcjellin thirrjet evropiane dhe amerikane ndaj Serbisë dhe Kosovës për të de-përshkallëzuar menjëherë situatën dhe për të ndërmarrë hapa që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme. Ndërsa platforma për zgjidhje të qëndrueshme dhe për të kërkuar zgjidhje të qëndrueshme është pikërisht dialogu i lehtësuar nga BE-ja”, ka deklaruar Peter Stano.