Krasniqi në Gjilan: Qeveria Kurti e dështuar dhe e paaftë, PDK po rikthehet

Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi ka thënë se PDK po mobilizohet në secilën komunë, me njerëz e energji të re, dashuri të madhe për vendin dhe me vizion të qartë për ta rikthyer Kosovën në kursin e duhur të zhvillimin dhe integrimit.

Kështu deklaroi Krasniqi teksa njoftoi se 120 anëtarë të rinj i janë shtuar Partisë Demokratike të Kosovës, në degën e Gjilanit.

“PDK po rritet. PDK po rikthehet. PDK po fuqizohet. PDK do të rikthejë besimin e qytetarëve anë e mbanë Kosovës, edhe këtu në Anamoravë, e veçanërisht në Gjilan, për t’u rikthyer aty ku e ka vendin, tek qeverisja për qytetarin dhe me qytetarin. Andaj, urime dhe faleminderit për angazhimin, për sukseset e përbashkëta” – ka thënë Krasniqi.

Sipas komunikatës së kësaj partie, lideri i PDK-së ka thënë se këto aderime janë dëshmi se Partia Demokratike e Kosovës mbetet alternativa më e mirë qeverisëse për vendin, e cila, kudo që është duke qeverisur në nivelin lokal, sipas tij, po kryen punë dhe po e mban fjalën, “për dallim nga dështimi i madh i Qeverisë në nivelin nacional – në të gjithë sektorët”.

Krasniqi pati disa fjalë edhe për Qeverinë, të cilën e cilësoi si të paaftë dhe të pafokusuar në prioritetet e tyre.

Njëri prej të anëtarësuarve në parti, afaristi Selver Xhelili ka thënë se ai iu bashkua PDK-së “pasi që pa këtë parti nuk ka zhvillim të Kosovës”.

Kryetari i Degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka thënë se ky është një fillim i ri për PDK-në në këtë qytet dhe sipas tij, me aderimet e reja dhe punën e madhe në këtë Degë, Partia Demokratike e Kosovës do të rikthehet si partia kryesore në Gjilan.