Sami Lushtaku dënohet me 12 mijë euro gjobë për arratisjen nga Dubrava
Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku u gjet fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës. Ai sipas prokurorisë ishte arratisur derisa po mbante dënimin prej 12 vitesh për krime lufte në rastin “Drenica”.
Gjykata i shqiptoi dënim me gjobë prej 12 mijë eurove.
Ndonëse për këtë vepër penale parashihet dënimi me burgim deri në 3 vite, dhe dënimi me gjobë nuk parashihet si dënim alternativ.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati Artan Qerkini, mbrojtës i të akuzuarit Sami Lushtaku.
Prokuroria thotë se i akuzuari Sami Lushatku me 21 gusht 2015, nga ora 10 deri në orën 19 ka qëndruar i pashoqëruar nga oficerët korrektues dhe pa u miratuar nga ndonjë vendim i gjykatës është arratisur nga Burgu i Dubravës ku ka qenë duke mbajtur dënimin prej 12 viteve dhe ka shkuar në shtëpinë e tij në lagjen Dragodan në Prishtinë.
Poashtu Prokuroria thotë se me datën 22 shtator të vitit 2015, rreth orës 12 e 20 deri në 15 e 40 ka qëndruar i pashoqëruar përkohësisht nga stafi korrektues duke u arratisur nga institucioni ku ka qenë në mbajtje të dënimit prej 12 vietëve të shqiptuar nga Gjykata e Mitrovicës.
Ndaj Sami Lushtakut dhe të akuzuarve te tjerë do të vazhdojë gjykimi për veprat penale pengim i dëshmisë apo procedurës penale, frikësim gjatë procedurës penale dhe pjesmarrje në krim të organizuar.