Komuna e Leposaviqit, Foto: KALLXO.com

KQZ me njoftim për qytetarët në veri të Mitrovicës për vendvotimet

Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar gjatë ditës së sotme qytetarët në veri të Mitrovicës për qendrat e votimit në lidhje me zgjedhjet e 23 prillit.

Zgjedhjet e 23 prillit do të mbahen në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan,

Leposaviq dhe Zubin Potok.

Sipas KQZ, përmes makinës kërkuese të KQZ-së qytetarët mund ta gjejnë qendrën e votimit në zgjedhjet e 23 prillit.

“Procedura për këtë qëllim është e thjeshtë, duke shënuar vetëm numrin personal të identifikimit në makinën kërkuese që është vendosur në ueb faqen e KQZ-së në hapësirën Gjej qendrën tuaj të votimit, apo në vegzën direkte: https://eomp.kqz-ks.org/ “- thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Në këtë makinë kërkuese janë përditësuar të dhënat e listës votuese në përputhje me vendimin e KQZ-së për miratimin e listës së qendrave të votimit dhe lokacionet e tyre, i datës 14 prill 2023.

Sipas këtij vendimi, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.