Ilustrim

Rasti “Klan Kosova”, disa organizata ndërkombëtare mirëpresin vendimin e Gjykatës Komerciale

Një grup organizatash ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të gazetarëve kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale që e pezullon vendimin e Ministrisë për revokimin e certifikatës së biznesit të televizionit “Klan Kosova”.

Organizatat thonë se vendimi i Gjykatës ka bllokuar një përpjekje të Qeverisë për të heshtur televizionin më të madh privat në Kosovë.

Në reagimin e tyre, organizatat kanë përshëndetur solidaritetin e organizatave, personaliteteve dhe ambasadave të vendeve të Perëndimit me kanalin “Klan Kosova”, e sidomos bojkotimin nga gazetarët të konferencës për media të ministres Rozeta Hajdari.

Organizatat që kanë reaguar janë: Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave, Federata Evropiane e Gazetarëve, Instituti Ndërkombëtar I Shtypit, OBC Transeuropa, Rrjeti Gazetarët e Sigurt, Reporterët pa kufi.

 

Gjykata Komerciale e ka aprovuar kërkesën e televizionit “Klan Kosova” për masën e sigurisë.

Kësisoj, Gjykata Komerciale e ka aprovuar kërkesën e “Klan Kosova” për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve kontestuese të nxjerra nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të MINT.

Ekzekutimi i këtyre vendimeve shtyhet derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor.