KPK: Nuk lejojmë cenimin e integritetit dhe reputacionit të anëtarëve tanë

Këshilli Prokurorial i Kosovës prej ditësh është duke përballur me reagime mbi procedurat e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. Shoqëria civile, Ambasadat e shteteve të huaja në vend e individë nga politika kritikuan KPK-në.

Por, KPK sot ka vendosur të reagojë për deklarimet e shumta që kanë ardhur.

Përmes një njoftimi për media, KPK ka deklaruar se nuk do të lejojnë cenimin e reputacionit të tyre si institucion, ndërsa ka kritikuar reagimet e përfaqësuesve politikë.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), gjatë ditëve të fundit, është duke u atakuar në mënyrën më të ulët nga përfaqësuesit politikë, përfshirë këtu edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, individë që kanë kaluar dhe janë duke kaluar nëpër procedura penale dhe nga grupet e interesit, ku, sipas tyre, Këshilli Prokurorial dhe bartësit e funksioneve prokuroriale janë “grup dhe kokë kriminale””, thuhet në reagim.

“Kjo gjuhë tejkalon të gjitha limitet e një gjuhë institucionale dhe shpërfaqë në mënyrë të qartë tendencat e hapura për rrënimin e sistemit prokurorial”, thuhet tutje në reagimin e KPK-së.

Në fund, KPK ka thënë se është një institucion i pavarur dhe nuk lejon ndërhyrjet.

“KPK-ja nuk do të tolerojë që të cenohet integriteti dhe reputacioni i anëtarëve të Këshillit Prokurorial dhe i bartësve të funksioneve prokuroriale. Këshilli Prokurorial i Kosovës, si institucion i pavarur kushtetues, ua bënë të qartë të gjithëve, përfshirë edhe përfaqësuesve politikë, se nuk do t’u bindet interesave politike dhe atyre të grupeve të interesit, pavarësisht tendencave të tyre”, thuhet në fund të reagimit.

Dje gjatë ditës, kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Adnan Rrustemi renditi një varg kritikash për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Problemet e identifikuara që lidhen me funksionimin e KPK-së, duke nisur nga përbërja, numri i madh i prokurorëve, kriteret ligjore dhe kufizuese për zgjedhjen e tyre dhe anëtarësimin e personave jashtë sistemit prokurorial, kanë rezultuar me përfaqësim jo kualitativ dhe jo domosdoshmërish të pavarur nga politika”, tha ai në Parlament.

Kuvendi i Kosovës dështoi ta miratoi plotësim ndryshimin e Ligjit për KPK-në.

“Mungesa e një procesi të hapur, konkurrues dhe të bazuar në merita për zgjedhjen e zëvendës kryeprokurorit dhe udhëheqësve të departamenteve, si dhe pamundësia për të përdorur mjete juridike efektive për kandidatët e pakënaqur dhe Këshillin e Etikës, janë disa nga arsyet që Ligji aktual për Këshillin Prokurorial të Kosovës të ketë nevojë për plotësim dhe ndryshim”, tha Rrustemi në fjalën e tij në Kuvend të Kosovës.

Ndërsa, kritika në adresë të KPK-së në ditët e fundit janë bërë nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në lidhje me procedurat për zgjedhjen e Kryeprokurprotit të Shtetit.

KPK ditë më parë propozoi Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

Përveç Ambasadës së ShBA-së reagoi edhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dhe Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Jorn Rohde.

Ambasadori i ShBA-së kritikon procesin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit

www.kallxo.com