Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi pa kuorum, nuk kalon Ligji për Këshillin Prokurorial

Në mungesë të kuorumit, Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk ka kaluar në Kuvend.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka konstatuar se në votim kanë marrë pjesë 57 deputetë, gjë e cila e ka pamundësuar miratimin e Ligjit për KPK-në.

“57 deputetë kanë marrë pjesë në votim, kjo i bie që Kuvendi nuk ka pasur kuorum për të marrë vendim. Këtë pikë të rendit të ditës e trajtojmë në një seancë tjetër”, ka njoftuar Konjufca.

Ministrja e Drejtësisë ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit Projektligjin për KPK-në.

Ajo ka thënë se me miratimin e plotësim-ndryshimeve të reja, ky Këshill do të ketë përbërje të re.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës do të ketë një përbërje të re, me prokurorë dhe joprokurorë. Por, proporcioni, apo dallimi në numra në mes të anëtarëve prokurorë dhe atyre joprokurorë do të jetë një. Fillimisht përbërja e re do të ketë dy anëtarë nga prokuroritë themelore, qoftë nga Prokuroria e Apelit apo Speciale dhe Kryeprokurorin e Shtetit sipas detyrës zyrtare. Ashtu siç e thonë Kushtetuta, Kuvendi pas këtij plotësim ndryshimi ka të drejtë të zgjedhë dy anëtarë joprokurorë, ndërsa risia kryesore është caktimi i një antari të ri nga Avokati i Populllit në konsultim me organizatat civile”, ka shpjeguar Haxhiu.

Ajo ka kritikuar përbërjen aktuale të Këshillit Prokurorial, për të cilin ajo tha se ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit dhe politika.

“Këshilli Prokurorial ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit, por edhe politika. Të gjithë jemi dëshmitarë se përkundër skandaleve që kemi parë publikisht nuk janë ndërmarrë veprime serioze për adresimin e tyre”, ka theksuar Haxhiu.

Haxhiu shtoi se për këtë Projektligj ka marrë dy opinione pozitive nga Komisioni i Venecias.

Polemika mes ministres Haxhiu dhe deputetit Tahiri për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe për noterët