Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier

Ambasadori i ShBA-së kritikon procesin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit

Procedurat e zhvilluara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit janë kritikuar nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier.

Nëprmjet një postimi në Twitter, Hovenier tha se përfaqësuesit e ambasadës ishin të ftuar më 6 prill nga KPK për të monitoruar proces. Por, sipas tij, prania “si vëzhgues nuk duhet të konsiderohet si miratim i procesit apo procedimit”.

Tutje, Ambasadori Amerikan tha se kanë pritur që procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit të jetë i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në meritokraci.

“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e Panelit Shqyrtues nuk përmbushin këtë standard. SHBA-ja nuk ka pasur një kandidat të preferuar dhe as nuk kemi paragjykuar kualifikimet individuale të kandidatëve”, tha Hovenier përmes një postimi në Twitter.

“Ne jemi të shqetësuar me mënyrën KPK-ja ka kryer këto procedura dhe ka dëmtuar besimin e publikut të Kosovës dhe besimin tonë ndaj KPK-së si institucion publik”, tha ambasadori Hovenier.

KPK ka propozuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

I zhgënjyer me procesin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit është shprehur edhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të BE-së për të siguruar një përzgjedhje të drejtë, transparente dhe të bazuar në merita të Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës përfundoi procesin e përzgjedhjes duke shpërfillur këto parime. Të habitur dhe të zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, kishte thënë ai në Twitter.

Shefi i Zyrës së BE-së pas nominimit të Isufajt për Kryeprokuror: Jemi të zhgënjyer me veprimet e KPK-së

www.kallxo.com