Kuvendi e shkarkon Agron Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar sot Agron Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Pro shkarkimit të tij nga kjo pozitë kanë votuar 62 deputetë.

“Me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë votë abstenuese, Kuvendi e shkarkoi Agron Bekën”- konstatoi Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Shkarkimi i Bekës ka ardhur si rekomandim nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Në votimin e kësaj pike nuk kanë marrë pjesë deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK.

Këshilli Prokurorial i Kosovës pati reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Komisionit parlamentar për Legjislacion, Adnan Rrustemi, të cilat i ka bërë në seancën plenare të Kuvendit në nëntor.

Përmes këtij reagimi duke cituar deputetin Rrustemi se “z.Beka ka keqpërdorur detyrën dhe se ka ndikuar që përmes anëtarit të KPK-së të avancohet dhe se ndaj të njëjtit ka shumë procedura – kallëzime penale dhe civile, të gjitha të mbështetura në provat”, KPK ka kërkuar nga deputeti që këto pretendime me prova t’i deponojë në Prokurori, në të kundërtën ka paralajmëruar reagime ligjore.

KPK i ka cilësuar si shpifje dhe fyerje deklaratat e deputetit të LVV-së dhe se ato kanë për qëllim denigrimin e Agron Bekës dhe realizimin e interesave politike për të ndërhyrë në sistemin prokurorial.

Gjithashtu, përmes këtij reagimi Këshilli Prokurorial tha se nuk ka asnjë vërejtje në ushtrimin e detyrës nga Agron Beka dhe se ai e kryen punën e tij me profesionalizëm.

Këshilli Prokurorial paralajmëron reagime ligjore ndaj deputetit Adnan Rrustemi për deklaratat rreth Agron Bekës