Kosova do të kërkojë nga Serbia dëmshpërblim për shkatërrimin e mbi 1300 ndërtesave gjatë luftës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se Komisioni shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore nga forcat serbe gjatë viteve 98-99 ka prodhuar raportin preliminar ku kanë identifikuar 1300 ndërtesa të shkatërruara nga Serbia.

“Mund t’iu tregoj që numri i ndërtesave që tashmë e kemi në databazë, të shkatërruara nga Serbia është mbi 1300, po flasim për një numër shumë të madh të dokumenteve krahas 1247 artefakteve etnografike dhe arkeologjike që vazhdojnë të mbahen nga Serbia” – tha Çeku në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Ministri Çeku nuk pranoi të jap më shumë detaje rreth gjetjeve të këtij Komisioni, duke theksuar se raporti preliminar i është dorëzuar kryeministrit Kurti.

“Ky Komision tashmë e ka prodhuar një raport preliminar të cilin ia kam dorëzuar kryeministrit, natyrisht nuk mund të japim detaje sepse është preliminar dhe gjithë puna e komisionit është punë që nuk është publike ende për shkak të diskrecionit që duhet të mbahet” – tha ministri.

Sipas tij, gjetjet e punës së këtij Komisioni do të përdoren për të kërkuar dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimet gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Qëllimi i këtij dokumentimi është që të nxjerret kostoja si kërkesë për dëmshpërblim nga Serbia, të cilën natyrisht në bisedime në Bruksel duhet të ja paraqesim Serbisë, kërkesa për dëmshpërblim për  monumentet e shkatërruara, arkivat e shkatërruara, librat e djegur, dhe për mbajtjen e mbi 1200 artefakteve në mënyrë të padrejtë në muze të Beogradit” – theksoi ai.

Ky Komision është themeluar në korrik të vitit të kaluar.

Në anën tjetër, mbi 1,200 artefakte etnologjike dhe arkeologjike të Kosovës që nga viti 1999 mbahen në Serbi. Këto artefakte mbahen në dy muze në Beograd.

Qeveria e Serbisë asnjëherë nuk i është përgjigjur thirrjeve të vazhdueshme dhe kërkesave zyrtare nga Qeveria e Kosovës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës (MKK), për kthimin e artefakteve në vendin e origjinës.

Lufta për artefaktet e Kosovës