Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Emërohet komisioni shtetëror për vlerësimin e dëmeve në trashëgimi të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 19-të ka marrë vendim për emërimin e komisionit shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999.

Përmes një komunikate, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bën të ditur se ky komision ka për detyrë të hulumtojë, grumbullojë dhe administrojë të gjitha informatat dhe dëshmitë e nevojshme nga arkivat publike dhe jopublike si dhe nga të gjitha burimet e tjera të besueshme të informacionit zyrtar me qëllim të realizimit të plotë dhe në mënyrë shteruese të detyrës për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës.

Komisioni, thuhet më tej në komunikatë, obligohet të hartojë raporte për MKRS-në  dhe të njoftojë edhe Zyrën e Kryeministrit.

“Në fund të punës, përkatësisht mandatit të tij, komisioni obligohet të hartojë një raport përfundimtar së bashku me një vlerësim të dëmit dhe/apo rëndësisë historike, kulturore, shoqërore dhe shpirtërore të objekteve të shkatërruara si dhe të kostos së përafërt financiare të tyre”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, ministri i MKRS-së Hajrulla Çeku e ka vlerësuar si moment shumë të rëndësishëm këtë vendim të Qeverisë, pasi, sipas  tij, zyrtarisht nis procesi për të kërkuar llogari dhe dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimin e qëllimshëm të qindra monumenteve të Kosovës.

“Komisioni shtetëror përbëhet nga 14 anëtarë të cilët janë jenë profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe profesionale, si dhe profesionistë ndërkombëtarë. Mbi këtë dokument dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare do të përpilohet edhe kërkesa për dëmshpërblim”, citohet të këtë thënë ministri Çeku.