Kosova dhe SHBA nënshkruajnë marrëveshje mbi masat e sigurisë së informacionit të klasifikuar

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar marrëveshje mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar.

Marrëveshja është nënshkruar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier.

Kurti e cilësoi këtë marrëveshje si tejet të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit të frytshëm në fushën e sigurisë, të mbrojtjes mbi informacionin e klasifikuar.

“Ai e falënderoi ambasadorin amerikan, Hovenier dhe Departamentin e Mbrojtjes të ShBA-së si implementuesin e Marrëveshjes, për besimin e treguar dhe për fuqizimin e mëtejmë të lidhjeve tona shtetërore përmes dakordimeve të këtilla” – thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Tutje është thënë se kjo marrëveshje u vlerësua si arritje e rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës nga ambasadori amerikan Hovenier.

Sipas Qeverisë, ai tha se marrëveshja përfaqëson zotimin e fuqishëm të SHBA-së për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe se në të njëjtën kohë çon përpara aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial përmes shkëmbimit të informatave me ShBA-në.

“Ai po ashtu shtoi se ShBA mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës” – thuhet në njoftim të Qeverisë.

Sipas kësaj të fundit, me marrëveshjen e sotme dy shtetet marrin detyrime për mbrojtën e informatave të klasifikuara të njëra-tjetrës, duke hapur derën për shkëmbim të këtyre informatave.

“Informacioni i kategorizuar si i tillë, do të ruhet ashtu siç e parasheh legjislacioni nacional dhe nuk do zbulohet përveç ndaj atyre që posedojnë çertifikatë të sigurisë, pa marrë parasysh pozitën apo titullin që personi i interesuar në informacion të klasifikuar gëzon. Marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes tij në raport me palët e autorizuara” – tha Qeveria.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ka qenë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe përfaqësues tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Maqedonci në reagimin e tij tha se me nënshkrimin e marrëveshjes po hedhim një hap të rëndësishëm në çështjen e shkëmbimit të informatave të cilat janë në interes të ruajtjes së sigurisë kombëtare, duke mbrojtur kështu përmes ligjit çdo informacion jetik shtetëror të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes por jo vetëm.

Në këtë aspekt, Maqedonci tha se Ministria që ai drejton dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të jenë garantuese se informacionet e klasifikuara të fushës së sigurisë e mbrojtjes që kanë impakt direkt në sigurinë e qytetarëve, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës do të ruhen sipas legjislacionit, e do të ndahen vetëm me personat e autorizuar të të dyja shteteve.

Ministri tha se kjo marrëveshje është dhe një shenjë tjetër e fuqizimit të bashkëpunimit me SHBA-në në kohën kur lufta hibride përbën një kërcënim të vazhdueshëm.