Koreografia me tanke e Crvena Zvezdës, reagon eurodeputeti Mandl
Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka reaguar pas koreografisë me tanke të tifozëve të klubit serb Crvena Zvezda.
Këta tifozë në ndeshjen ndaj Fiorentinës në Beograd, kanë prezantuar një pankartë ku thuhet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” e mbi këtë thirrje shihet edhe një tank e flamuri serb.
Mandl u ka bërë thirrje zyrtarëve e diplomatëve të Bashkimit Evropian si Josep Borrell, Oliver Varhelyi dhe Mirosllav Lajçak që të “shikojnë se çfarë po ndodhë?”.
“Ju ende dëshironi të sanksiononi, cilin vend? Kosovën? Josep Borrell, Oliver Varhelyi, Miroslav Lajçak a e shihni se çfarë po ndodh? Le të qetësohemi. Le të kontribuojmë në uljen e tensionit, pajtimin, paqen. Gjithkush. Të gjithë ne”- ka shkruar Mandl në Twitter.
You still want to sanction which country? Kosovo? @JosepBorrellF @OliverVarhelyi @MiroslavLajcak Can you see what‘s going on? Let‘s calm down. Let‘s contribute to deescalation, reconciliation, peace. Everyone. All of us. #EU #Kosovo https://t.co/YZ2ocMUNHr
— Lukas Mandl (@lukasmandl) July 28, 2023
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka reaguar ndaj këtij rasti.
FFK-ja ka bërë të ditur se ka dorëzuar ankesë në UEFA, duke kërkuar nga organet e këtij institucioni që të hetojnë me urgjencë këtë rast.
“Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës është një akt i papranueshëm dhe i pashoq për sportin, por edhe për harmoninë e paqen ndërmjet vendeve dhe popujve në rajonin tonë, e sidomos në periudhën e tensioneve mes dy vendeve” – thuhet në reagimin e Federatës kosovare.
“Ky akt i shprehur publikisht, i shoqëruar edhe me slogane provokuese, dëshmon se opinioni në Serbi dhe autoritetet e atjeshme nuk kanë ndryshuar aspak nga qasja agresore dhe njëherësh është një provokim i hapur ndaj sportit të futbollit dhe Republikës së Kosovës”.
Tutje, FFK-ja ka thënë se ky rast bën të kuptohet se duhet urgjentisht që organet e UEFA dhe FIFA të marrin masa më të ashpra kundër shkeljes së parimeve dhe vlerave bazë të lojës së futbollit.
FFK ka thënë se shpresojnë dhe besojnë që ankesa e reagimi i tyre do të merret seriozisht dhe ata që nxisin urrejtje nëpërmjet futbollit do të ndëshkohen.
Po ashtu është thënë se FFK do të vazhdojë të promovojë vlerat e vërteta të futbollit, pasi është e vetëdijshme se një mjedis i sigurt dhe i respektueshëm në stadiume është thelbësor për të përjetuar emocionin e futbollit në mënyrë pozitive.
Koreografia me tanke e Crvena Zvezda, FFK deponon ankesë në UEFA