Foto: Facebook - Lukas Mandl

Eurodeputeti Mandl kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës

Në takimin e 11-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, eurodeputeti austriak Lukas Mandl ka folur për çështjet e dialogut Kosovë- Serbi dhe për masat që Bashkimi Evropian ia ka vendosur Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës, ai ka përkujtuar se Parlamenti Evropian ka kërkuar heqjen e atyre masave.

Ndërkohë ka bërë thirrje për zbatim të plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

“Ky takim zhvillohet në një moment me rëndësi për Kosovën dhe BE- në. Nga takimi i marsit Kosova ka përjetuar dy ngjarje, dhuna në maj dhe sulmi terrorist në Banjskë. Përsëris thirrjen e PE -së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë Serbi. Ftoj që të ketë implementim të plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, pa vonesa. Theksoj që Parlamentit Evropian i vjen keq për masat që i janë bërë Kosovës dhe kërkon heqjen e tyre. PE ka qenë përkrahës i madh i liberalizimit dhe na vjen mirë që qytetarët e Kosovës tash po lëvizin lirshëm”- ka thënë ai.

Mandl ka thënë se është obligim i Bashkimit Evropian që ta mbështesë Kosovën.

Takimi i sotëm, sipas tij, është vazhdimësi e takimeve që janë mbajtur me herët.

Takimi i mbajtur më 26.03.2024 është kryesuar nga shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila e cila ka thënë se bashkësia ndërkombëtare ka marrë parasysh progresin e Kosovës.

“Jemi falënderues ndaj tre eurodeputetëve që kanë ardhë në Prishtinë. Prezenca e juaj është dëshmi e lidhjes së fortë të Kosovës me BE – në. Kemi edhe rekomandimin pozitiv nga Këshilli i Evropës- bashkësia ndërkombëtare ka marrë parasysh progresin. Parlamenti Evropian ka qenë aleat i palëkundur, rezolutat e të cilit e kanë ndihmuar vendit, e sidomos rezoluta për rastin e Banjskës që e ka dënuar Serbinë dhe ka inkurajuar hetimet. Çmojmë thirrjen tuaj për heqjen e masave sepse kjo është e rëndësishme”- ka thënë ajo.

Që nga 28.06.2023, Bashkimi Evropian ka aplikuar sanksione ndaj Kosovës në lidhje me “situatën e krijuar në veri dhe vendimin e autoriteteve për të mos u koordinuar me partnerët europianë për uljen e tensioneve”.

Tensionet ndëretnike ishin ngritur që nga 24 maji, kur kryetarët shqiptarë të katër komunave të veriut ishin vendosur në objektet komunale në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.