Kontrollet e inspektorëve të punës, zbulohen kontrata të kundërligjshme në biznese
Një aksion në disa biznese zbuloi se ato nuk respektojnë kriteret që parasheh ligji mbi të drejtat e punëtoreve.
Aksioni i Inspektoratit të Punës u zhvillua në tri biznese, dy në rajonin e Skenderajt dhe një në rajonin e Lipjanit, ku u kryen kontrolle për zbatueshmërinë e Ligjit të Punës dhe ai për Siguri dhe Shëndet në Punë.
Në njërin nga bizneset e inspektuara, inspektorët e punës Egzon Bahtiri dhe Laura Mustafa – Berisha, kërkuan nga bizneset kontratat e punëtorëve.
Në këto kontrata inspektorët e punës vërejtën shkelje në çështjet që rregullonin pushimin vjetor dhe atë mjekësor.
“Këtu te kontrata po e vërej që tek neni 8 i kontratës thotë që punonjësi ka të drejtë për 12 ditë pushim vjetor në vit me pagesë. Siç e dini Ligji i Punës, parasheh që punëtori duhet të ketë 20 ditë me pagesë në vit, dhe jo 12 ditë siç është në këtë kontratë. Andaj kontrata po shihet që është në kundërshtim me Ligjin e Punës” – tha inspektori i punës Egzon Bahtiri.
Tek pushimi mjekësor, sipas këtyre kontratave që u dhanë në dispozicion, numri i ditëve që u takonte punonjësve ishin 6 ditë brenda një viti.
“Edhe tek pushimi mjekësor, me pagesë i takojnë 20 ditë pushim mjekësor. Edhe kjo po vërehet që është në kundërshtim me ligjin e punës.” – shtoi ai.
Këto parregullsi, u kërkuan të ndryshohen me raport zyrtar të përpiluar nga inspektorët.
Sa i përket sigurisë në punë, në këtë biznes në disa pjesë të tij ishin shenjat për siguri dhe shëndet në punë kurse në disa pjesë jo.
Përveç mungesës së shenjave të rrezikut, aty u pa se edhe daljet emergjente nuk ishin sipas formatit që kërkohen sipas ligjit.
Tek ky biznes u dha afati prej 5 ditësh që subjekti t’i sjellë në Inspektorat dokumentet e kërkuara sipas Raportit Zyrtar.