Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prizrenit kontraktoi mbi 33.6 milionë euro nëpërmjet prokurimit në vitin 2023

Komuna e Prizrenit në vitin e kaluar, nëpërmjet prokurimit ka kontraktuar miliona euro për furnizime, shërbime e punë.

Vlera e përgjithshme e kontratave që Komuna e Prizrenit i kontraktoi gjatë vitit 2023, është 33,602,249.45 euro, ndonëse vlera e parashikuar për to ishte rreth 11.6 milionë euro më e lartë apo saktësisht 45,198,695.59.

Kontraktimi i këtyre miliona eurove ishte rezultat i inicimit të qindrave procedurave të prokurimit për punë, shërbime e furnizime.

“Janë iniciuar gjithsej 238 procedura të prokurimit në të cilat përfshihen: Punë, shërbime dhe furnizime të vlerave të vogla, të mesme dhe të mëdha si dhe janë zhvilluar 41 procedura të vlerave minimale” – thuhet në raportin e zyrës së prokurimit të kësaj komune.

raport jepen më shumë detaje për kontratat e nënshkruara, ku sipas tij, nga gjithsej 285 sosh të nënshkruara, 23 janë të vitit fiskla 2022, 13 aneks kontrata janë nga procedurat e prokurimit 2021, 2022 dhe 2023.

Kontratat e nënshkruara janë të vlerave dhe natyrave të ndryshme.

“285 kontratat e nënshkruara janë të vlerave minimale, vlerave të vogla, vlerave të mesme dhe vlerave të mëdha e në të cilat përfshihen: punë shërbime furnizime dhe konkurse projektimi si dhe janë vlera të procedurave njëburimore pa publikim të njoftimit për kontratë ( Aneks kontrata) “-shton tutje raporti

Në 2023-ën, u pranuan 97 kërkesa për rishqyrtim

Me ndryshimin e Ligjit të Prokurimit, operatorëve ekonomikë u mundësohet që të bëjnë kërkesë për rishqyrtim në autoritetin kontraktues. Kjo njihet si shkallë e parë e ankesës, para se operatorët ekonomik t’i drejtohen Organit Shqyrtues të Prokurimit që lëshon vendime të plotfuqishme.

Për procedurat e prokurimit për vitin fiskal 2023, në zyrën e prokurimit të Komunës së Prizrenit të janë dërguar gjithsej 97 kërkesa për rishqyrtim. Ku njëherit janë ngritë në sistem 97 vendime të autoritetit kontraktues lidhur me kërkesat për rishqyrtim.

48 ankesa në OShP kundër vendimit të komunës

Për dallim nga numri i kërkesave për rishqyrtim, në procedurat e prokurimit për vitin që shkoi, numri ankesave përgjysmë më i vogël.

Janë parashtruar gjithsejtë 48 ankesa, për 38 është bërë zgjidhje lidhur me ankesën, ndërsa 10 ankesa janë në proces të pritjes së vendimeve të OSHP së për procedim të mëtejmë.

Një operatorë ekonomik në rast se nuk pajtohet apo mendon së ju është bërë e pa drejtë në vendimin për rishqyrtim të kërkesës, mund të paraqesë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit [OShP].

Ndryshe, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik [KRPP] rreth një javë më parë ka njoftuar se përmes Departamentit të Monitorimit [DM], kërkon nga të gjithë zyrtarët përgjegjës të prokurimit të Autoriteteve Kontraktuese të Kosovës që të dërgojnë raportet vjetore për kontratat e nënshkruara publike për vlera të mëdha, të mesme, të vogla dhe minimale për vitin fiskal 2023, më së largu deri me datë 31.01.2024.