Kontraktohet renovimi i 1,000 shtëpive më masa të efiçienës së energjisë

1 mijë shtëpi janë kontraktuar të rinovohen në masa të efiçienës së energjisë në Kosovë përmes programit SEEK.

Kështu u bë e ditur në konferencën e Donatorëve për Efiçiencën e Energjisë për Ekonomitë Familjare në Kosovë të organizuar nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK).

Drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead dhe Drejtori Ekzekutiv i MFK-së, Petrit Selimi të cilët hapën këtë konferencë, gjatë fjalës së tyre hyrëse vlerësuan se përvoja dhe gjetjet nga Programi SEEK që do të shpalosen gjatë kësaj ngjarje padyshim që do të ndihmojnë në planifikimin e aktiviteteve të ardhshme drejt rritjes së eficiencës së energjisë në vend.

“Për më shumë, u theksua se MFK dhe MCC tashmë kanë kontraktuar mbi 1,000 renovime të shtëpive me masa të eficiencës së energjisë, duke identifikuar mënyrat më të lehta dhe të përshtatshme të përkrahjes për Kosovarët të investojnë në eficiencë të energjisë”, thuhet në komunikatën për media të MCC.

Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë ka vlerësuar lartë përpjekjet e MFK-së dhe MCC-së për rritje të eficiencës së energjisë në shtëpitë kosovare, duke konsideruar se ky intervenim po ndodhë në kohën e duhur, marrë parasysh krizën energjetike me të cilën tërë Evropa po ballafaqohet.

“Programi SEEK është programi i parë në Kosovë që ka në fokus sektorin residencial. Sektor ky që vlerësohet si konsumuesi më i madh i energjisë dhe në të njëjtën kohë sektori me potencialin më të madh për ngritje të eficiencës së energjisë”, citohet të ketë thënë Rizvanolli.

Alicia Phillips Mandaville, Zëvendës Presidente e Departamentit të Politikave dhe Vlerësimit në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), e cila është duke qëndruar në Kosovë për një vizitë tre-ditore u shpreh se gjetjet e nxjerra nga aktivitetet e programit SEEK do të shërbejnë si mësime të rëndësishme për përpjekjet e ardhshme të Qeverisë së Kosovës në këtë drejtim.

“MCC mirëpret bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës dhe palët tjera të interesit për të vazhduar këto intervenime në të ardhmen”, ka thënë ajo.

Gjetjet fillestare kryesore të projektit SEEK u prezantuan nga Burim Hashani, Drejtor i Energjisë në MFK dhe Marko Kosir, Udhëheqësi i Ekipit të Konsulentit Zbatues (GFA-HPC).

Pjesë e kësaj konference ishte edhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Bashkëpunim në mes MFK-së dhe Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), përmes së cilës pritet të fuqizohet bashkëpunimi në lidhje me transferimin e njohurive dhe mekanizmave lidhur me implementimin e masave të efiçiencës së energjisë në sektorin residencial në Kosovë.

Masat e Efiçiencës së Energjisë (MEE) në sektorin rezidencial të Kosovës janë bërë një nga çështjet kryesore të strategjive dhe politikave si të institucionet vendore ashtu edhe të donatorëve ndërkombëtarë, për shkak të konsumit të lartë të energjisë dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve të energjisë elektrike.

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK), mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka implementuar projektin ‘Subvencione për Eficiencë të Energjisë-SEEK’, me qëllim të pilotimit të modeleve subvencionuese që synojnë  nxitjen e masave të eficiencës së energjisë në ekonomitë familjare në Kosovë.

SEEK synon të zvogëlojë konsumin e energjisë elektrike në sektorin e banimit duke pilotuar subvencione dhe stimulime të tjerë për ekonomitë familjare për të investuar në masa të efiçiencës së energjisë.

SEEK synon të sigurojë stimulime në formën e granteve për konsumatorët e energjisë në sektorin rezidencial për të investuar në përmirësimet e efiçiencës së energjisë për të zvogëluar konsumin e energjisë, si dhe stimulime që synojnë rritjen e përfshirjes së grave në mundësitë e biznesit të sektorit të energjisë, dhe në investimet në efiçiencën e energjisë.

Fokusi kryesor teknik i SEEK janë masat e efiçiencës së energjisë që do të zvogëlojnë konsumin e energjisë elektrike për ngrohje dhe të promovojnë përdorimin e pajisjeve të ngrohjes me efiçiencë energjike.