Konjufca pas lëvdatave të Albulena Haxhiut për LVV-në: Kadale se mësyshi mundet me na kap

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot gjatë seancës ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur asnjëherë opozitë më të fortë, as qeveri më të mirë se Lëvizja Vetëvendosje.

Pas kësaj deklarate, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca mes të qeshurave, kërkoi nga Haxhiu të “ketë kujdes se po i kap mësyshi”

“Pse nuk po i ndani kapak meritat, Albulenë e monopolizove krejt, edhe në opozitë më të mirët edhe në Qeveri më të mirët, kadalë se mundet mësyshi tani, nuk bën ashtu” – ka ndërhyrë Konjufca me ironi.

Këtë deklaratë Haxhiu e ka thënë si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu për meritat e opozitës në raportet për korrupsion e ndërhyrje politike.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganime Musliu dhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu “janë përplasur” në seancën e Kuvendit lidhur me raportet e organizatave për korrupsionin e ndërhyrjet politike.

Deputetja Musliu ka thënë se opozita duhet ti marrë meritat për raportet që nuk shkruajnë për ndërhyrje në gjyqësorin e Kosovës.

“Nëse raportet nuk shkruajnë për ndërhyrje në gjyqësor, rezultat është i opozitës më shumë se pozitës, nuk ka deputet as deputete që shkruan raporte kundër qeverisë qysh keni shkrua ju. Nuk keni lanë zyre pa shku tu thënë korrupsioni, korrupsioni, ndërhyrje politike, ata shkruajnë çka dëgjojnë, prandaj punu e mos na sugjero” – ka thënë Musliu.

Lidhur me këtë deklaratë është kundërpërgjigjur ministrja Haxhiu e cila ka thënë se organizatat që bëjnë raporte nuk i bëjnë ato me të dëgjuar.

“Organizatat vendore dhe ndërkombëtare nuk bëjnë raporte me të ndihmu Gane, takojnë organizatat e shoqërisë civile dhe akterë të tjerë e pastaj bëjnë raportet” – ka thënë ajo.

Haxhiu ka pasur edhe një kundërpërgjigje lidhur me deklaratën e deputetes Musliut se “nuk ka deputet as deputete që shkruan raporte kundër qeverisë qysh keni shkru ju (Lëviza Vetëvendosje)”.

“Me bindje të plotë e them, ky Kuvend nuk ka pasur asnjëherë opozitë më të fortë se Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk ka pasur asnjëherë Qeveri më të fortë se Lëvizja Vetëvendosje”-ka thënë Haxhiu.

Këto diskutime u benë gjatë kohës së deklarimeve jashtë rendit të ditës, në seancën e Kuvendit.