Konjuca komenton gjuhën politike në Kosovë: Kritika duhet me qenë e ndershme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka komentuar gjuhën që përdorët nga partitë opozitare por edhe nga përkrahësit e partive politike në Kosovë.

“Kritika duhet me qenë e ndershme. Për këtë të vlerëson populli”- ka thënë Konjufca.

Konjufca kështu ka deklaruar teksa ka folur në lidhje me audioincizimet ku dëgjohen duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Kryeparlamentari ka thënë që s’mund të fajësohet Albin Kurti për rastin e audioincizimeve.

“Kanë dal kanë thanë Albini e ka shti. Nuk është fer kjo. Duhet me dit njeriu deri ku me shku. Me analizu një proces. Nuk e shtin as Albin Kurti as unë. Opozita po thotë ju po i shtini. Për kryeministrin Kurti krejt thonë që ai po i shtin”- ka thënë ai në #KallxoPërnime.

Ai madje bëri edhe një krahasim në lidhje me këtë.

“A din se si është kjo. A ndodhi një krim me një kafiq në Prishtinë? Si me dalë tash unë me thanë, kryetari i PDK-së i ka shti, unë nuk e them kurrë atë. Gabim është. S’bën sepse krimi ndodhë, çka ka lidhje që ai është restoranti i dikujt”- shpjegon Konjufca.

Gazeta Nacionale ka publikuar një audioincizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Kusari- Lila, ka deklaruar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, ish-deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Sipas Kusari- Lilës, incizimi dhe publikimi i tij i jashtëligjshëm nga Simiq nuk ka qëllim as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër.