Komuna e Skenderajt, Foto: Facebook

Komuna e Skenderajt sqaron raportimet për të moshuarin e larguar nga 'Shtëpia e Pleqve'

Komuna e Skenderajt ka reaguar pas raportimit në media se Shtëpia e Personave të Moshuar pa Përkujdesje Familjare në Skenderaj (SHPMPF) ka larguar një të moshuar për në Mitrovicë.

Kjo komunë përmes një komunikate ka sqaruar se 74-vjeçari jeton nga pas lufta në Mitrovicë, por që para 29 qershor është pranuar në SHPMPF me rekomandim të punëtorit social nga Qendra për Punë Sociale në Mitrovicë, e sipas tyre, kjo e fundit ka fshehur gjendjen shëndetësore – psikike të tij.

Sipas tyre, para tri ditësh, SHPMPF në Skenderaj ka nxjerrë akt vendim për ndërprerjen e qëndrimit të tij të mëtutjeshëm në këtë shtëpi, dhe me 8 korrik e kanë dërguar në Qendrën për Punë Sociale në Mitrovicë, për shkak të sjelljeve të tij.

“Që nga pranimi, bazuar në raportet ditore të përgatitura nga stafi profesional i SHPMPF në Skenderaj (raportet janë në dosje të personit) del që personi në fjalë ka pasur sjellje të pa kontrolluara dhe të rrezikshme për rezidentët tjerë të kësaj shtëpie, duke rrezikuar në disa raste vetveten dhe personat tjerë”, thuhet në njoftimin e publikuar në “Facebook”.

Më tej sqarojnë se duke bazuar në këto sjellje, me udhëzimin e mjekut familjar personi është dërguar në Qendrën e Shëndetit Mental në Mitrovicë për kontrollë, e që i cili “pas ekzaminimit është rekomanduar që të dërgohet në Kliniken Psikiatrike në Prishtinë”.

“Me datë 06.07.2020, menaxheri i SHPMPF në Skenderaj dhe menaxheri i rastit nga Qendra për Punë Sociale në Mitrovicë të moshuarin e kanë dërguar në Kliniken Psikiatrike në Prishtinë, (provë raporti i mjekut, me datë 06.07.2020, me numër të regjistrit 364) dhe pas ekzaminimeve dhe duke marrë parasysh që i njëjti nuk është pranuar në hospitalizim nga kjo klinikë atëherë menaxheri i SHPMPF në Skenderaj është detyruar që ta kthejë në shtëpinë e Pleqve dhe të mbajë me terapi qetësuese”, vijon komunikata.

“Sipas informacioneve që ka SHPMPF në Skenderaj, Qendra për Punë Sociale në Mitrovicë këtë person e ka mbajtur dy ditë dhe janë kujdesur për të deri me datë 10.07.2020. Me datë 10.07.2020 në ora rreth 11:30, Qendra për Punë Sociale në Mitrovicë, përmes punëtorit të tyre, menaxherit të rastit, me autoambulancë të QKMF-së -Mitrovicë, pa asnjë dorëzim pranim dhe pa kontaktuar me askënd, në mënyrë klandestinë e kanë lënë klientin në oborr të SHPMPF në Skenderaj”, vijon reagimi.

“Menaxheri i SHPMPF në Skenderaj, pasi e ka parë klientin në oborr të Shtëpisë Rezidenciale ka njoftuar Policinë në Skenderaj dhe personin në fjalë e ka dërguar në Qendrën për Punë Sociale në Mitrovicë dhe e ka njoftuar menaxhmentin e qendrës për rastin”, ka përfunduar Komuna e Skenderaj duke bërë thirrje organeve të drejtësisë që të analizojnë dhe hetojnë rastin në fjalë dhe fajtorët eventual të vihen para drejtësisë.