Komuna e Ramiz Lladrovcit kundërshton vendimin e Pal Lekajt për hapjen e udhëkryqit të Komoranit

Në kohë fushate, ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj ka vendosur të enjten që udhëkryqi i Komoranit të zhbllokohet për qarkullim të lirë, me arsyetimin se është kërkesë e banorëve dhe bizneseve të vendit.

Ky vendim i tij, ka ngjallur reagim nga Komuna e Drenasit duke e kundërshtuar Lekajn e AAK-së, pasi që sipas tyre, po bëhet për përfitime politike dhe paraqesin rrezik për sigurinë në komunikacion.

Sipas Komunës së udhëhequr nga Ramiz Lladrovci, për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit do të duhej të ndiqen procedura të nevojshme, si dhe të bëhen vlerësime nga ana e ekspertëve të komunikacionit dhe që sipas tyre, nuk është prezantuar asnjë vendim, pëlqim apo leje.

Gjithashtu, Komuna në një publikim të tyre kanë thënë së inspektorët komunal janë kërcënuar më inicim të ‘kallëzim penal” nga ana e ministrit në detyrë.

“Për këtë çështje, duke marrë parasysh shqetësimin e qytetarëve tanë, Inspektorët Komunal me mirëkuptim kanë kërkuar të informohen nga Ministri në largim, Pal Lekaj, se a ka vendim të kësaj natyre. Mirëpo, të njëjtit nuk kanë hasur në bashkëpunim, dhe për më tepër ata kanë marrë kërcënime nga ana e Ministrit Lekaj, i cili iu është përgjigjur se mund të inicioj ‘Kallëzime Penale’ për inspektorët tanë”, thuhet në komunikatën e Komunës së Drenasit, të enjten.

“Të nderuar qytetarë të Drenasit, të gjithë e kemi të njohur faktin për numrin enorm të aksidenteve të shkaktuara në atë pjesë para ndërtimit të Autostradës M9, dhe vetëm mendimi për hapjen e tij pa asnjë analizë të ekspertëve, nënkupton rrezikim të gjithë atyre që kalojnë në atë pjesë, duke marrë parasysh se është autostrada më e frekuentuar në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Veprimin e djeshëm e kanë quajtur të ‘paprecedent dhe i papërgjegjshëm’, që sipas tyre ka shkaktuar edhe aksidente komunikacioni.

Komuna i ka marrë meritat që rruga katër korsi të kaloj përmes Komoranit, duke ju mundësuar të gjithë banorëve dhe bizneseve të kenë qasje me të lehtë dhe se çështja e ish-udhëkryqit të Komoranit të zgjidhet me rastin e ndërtimit të rrugës me katër korsi Skenderaj – Drenas – Komoran.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për punimet në zgjerimin e rrugës me katër korsi Skenderaj – Drenas, e cila ka filluar në shtator të vitit 2014.

Qeveria Haradinaj ngecë në ndërtimin e autostradës së Skenderajt

Ende pa përfunduar, asfalti në rrugën Skenderaj-Drenas dëmtohet