Komuna e Prizrenit fillon sot grumbullimin e mbeturinave të vëllimshme

Komuna e Prizrenit fillon sot aksionin pranveror të mbeturinave të vëllimshme nga të gjitha amvisëritë.

Grumbullimin e këtyre mbeturinave do ta bëjë sektori i Menaxhimit të Mbeturinave në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike.

Sipas njoftimit të komunës, aksioni do të realizohet në datat 1-7 maj.

Mbeturinat e vëllimshme llogariten të gjitha gjësendet e vjetërsuara që nuk përdoren, duke përfshirë orendi të vjetra shtëpiake, vitrina, set ulësesh, tepihë, pajisje teknike etj.

Ky aksion është pa pagesë dhe realizohet sipas orarit të rëndomtë të mbledhjes së mbeturinave, dy herë në vit.

Shtëpitë private këto mbeturina duhet t’i vendosin para dyerve, në ditën kur bëhet shërbimi për mbledhjen e mbeturinave në lagjen përkatëse. Ndërsa banimet kolektive, duhet t’i vendosin ato në pikën publike më të afërt të grumbullimit të mbeturinave.

Mbeturinat e vëllimshme nuk duhen të hidhen në çdo kohë!

“Lusim qytetarët që ta respektojnë orarin e mbledhjes së mbeturinave dhe për çdo informatë shtesë, të informohen nëpërmjet Sektorit të Menaxhimit të Mbeturinave në Komunën e Prizrenit në numrin e telefonit 038/200-44-750”, thuhet në njoftimin e komunës së Prizrenit.