Komuna e Prishtinës teston reagimin në rast zjarri brenda objektit komunal - Pamje

Të pajisur me një plan emergjent se si të reagohet në rast zjarri apo fatkeqësie tjetër natyrore kanë qenë sot punëtorët e Komunës së Prishtinës.

Ata kanë improvizuar një skenë të tillë, duke testuar aftësitë e reagimit të stafit e qytetarëve që gjendeshin në objektin komunal.

“Zjarr në objektin e vjetër të Komunës” ka qenë njoftimi i tyre për policinë dhe ekipin e zjarrfikësve.

Fillimisht organizatorët e kishin rrethuar një pjesë të komunës, duke caktuar pika të veçanta ku ata të qëndrojnë për sigurinë e tyre pas evakuimit, ndërsa një pjesë të rrugës “UÇK”, ku ndodhet komuna, e kanë bllokuar policia për dy orë për qarkullim.

Me ardhjen e ekipeve të Policisë, zjarrfikësve dhe Kryqit të Kuq, shumica e punëtorëve dhe qytetarëve janë evakuuar, pasi është lëshuar një alarm duke lajmëruar të gjithë se ka një rast emergjent.

Zjarrfikësit kanë ndihmuar me ekipet e tyre, duke hyrë me tub të ujit në objektin e komunës për të shuar zjarrin. Më pas për personat që kishin mbetur brenda komunës, kanë vendosur një dyshek në oborrin e komunës, për t’i pritur disa nga qytetarët që kërcenin.

Një formë tjetër shpëtimi që ata kanë përdorur ishte edhe përdorimi i shkallëve emergjente të automjetit të zjarrfikësve, në mënyrë që t’i nxirrnin qytetarët nga dritarja.

Kanë provuar edhe rastin kur ka persona të ndikuar nga kjo ngjarje dhe kanë nevojë për trajtim mjekësor, duke e nxjerr njërin prej tyre me lesne mjekësore.

Për qëllimin e këtij ushtrimi ka folur i pari i Komunës, Përparim Rama, i cili e ka shpjeguar të gjithë planin që e kanë ndjekur ekipet shpëtuese, dhe ka treguar se ky është ushtrimi i parë i llojit të vet, që po realizohet në kryeqytet.

“Janë thirrë zjarrfikësit, janë thirr ambulanca, policia, edhe prej momentit kur ka ndodhë zjarri, kur janë lajmëru të gjithë punëtorët e kryeqytetit, kur kanë dalë, janë evakou, në pikat ku janë të parapërcaktune se ku duhet me u evakou si rezultat i emergjencave, deri në momentin kur edhe kanë ardh forcat e zjarrfikësve, ambulanca edhe është sanu zjarri” – ka deklaruar Rama.

Kurse, Lluzim Fushtica, Drejtori i Sigurisë dhe Emergjencës, duke treguar se cilat janë adresat tjera ku do të realizohet ky ushtrim, ka thënë se i kanë përmbushur të gjitha pikat e planit të tyre dhe se kjo do t’iu shërbej atyre si testim, për të parë lëshimet që kanë mundur të ndodhin.

“Ky është vetëm ushtrimi i parë, ne do t’i testojmë gatishmërinë e të gjitha institucioneve që janë në varësi të kryeqytetit, duke filluar edhe për shkollat, edhe ndërtesën e komunës, qendrat e mjekësisë familjare, të gjitha që janë në pronësi dhe në varësi të kryeqytetit do të testohen dhe do të zhvillohen plane emergjente për evakuim dhe shpëtim të jetëve të qytetarëve” – është shprehur Fushtica.

Sipas Fushticës, koha e reagimit të tyre ka qenë 6 minuta, prej momentit kur është raportu deri në momentin kur kanë ardhur zjarrfikësit dhe e kanë sanuar zjarrin, dhe se, punëtorët e komunës të cilët janë të trajnuar, me bombola të shuarjes së zjarrit kanë intervenuar para se të vijnë shërbimi i zjarrfikësve.

Ndërsa, komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi, ka theksuar se pas këtij ushtrimi, ata do të analizojnë të gjithë planin se si ka shkuar dhe do të dalin me një analizë të të metave të planit dhe veprimeve të tyre, në mënyrë që të përmirësohen.

“Pra, qëllimi i ushtrimit është m’i nxjerr të metat, cilat janë dobësitë tona që në rast të zjarrit dhe fatkeqësive tjera natyrore, cilat janë mundësitë tona për me reagu në këto fatkeqësi. Pas kësaj, qysh ju tha edhe drejtori, ne do të bëjmë në ditët në vijim një APV që quhet ‘Analiza Pas Veprimit’, pra është analizë, ku nxirren të metat” – ka thënë Gashi.

Përgjatë gjithë kësaj ngjarje në ambientin e objektit të komunës janë parë edhe pjesëtarë të KFOR-it, të cilët sipas Ramës, ishin vëzhgues të zbatimit të këtij plani.