Komuna e Prishtinës paralajmëron ndëshkim për kompaninë për defektet në rrugën e rregulluar

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar ndëshkim për një kompani në rast se nuk i rregullon defekteve që janë vërejtur në rrugën “Hasan Remniku” në kryeqytet në kohën e punimeve të infrastrukturës së rrugës që gjendet në lagjen “Kolovica”.

Sipas Drejtorisë për Investime Kapitale të komunës, problemi për dëmtimin e rrugës qëndron te  kompania pasi që ende pa kaluar një vit rruga ka pësuar dëmtime.

“Operatori Ekonomik ka afat garantues për sanimin e defekteve. Ne u kemi dhënë vërejtjet e duhura dhe nëse nuk fillon me sanime gjatë kësaj jave jemi të obliguar t`i tërheqim garancionin për periudhën e defekteve në atë kontratë”, ka thënë komuna e Prishtinës në një përgjigje për KALLXO.com.

Flakron Pajaziti, banor i lagjes Kolovica, thotë se ky asfaltim është bërë me kualitetin më të dobët dhe se rruga bëhet edhe më e vëshirë kur ka reshje shiu.

“Asfalti është shumë i hollë, përgjatë rrugës ka shumë gropa që ndikojnë direkt edhe në veturat tona sidomos gjatë kohës kur bie shi”, tha Pajaziti.

“Problem tjetër janë edhe kapakët e pusetave ku shumë prej banorëve kanë dëmtuar makinat e tyre”, shtoi ai.

Kompania “Ledi Ing” e cila ka kryer punimete në këtë rrugë, ka thënë për KALLXO.com se e kanë diskutuar me komunën problemin e defekteve të paraqitura,

“Ne kemi bisedu me ata, kemi dalë me menaxheren dhe me organet mbikëqyrëse me i evidentu defektet ku janë paraqitë. E kemi pa qe me fillu këtë javë e pastaj deri në përfundim të tyre”, tha kompania.