Ndertesa e Komunes se Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Komuna e Pejës në vitin 2022 krijoi shpenzime shtesë si pasojë e pagesave me vonesë

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se Komuna e Pejës gjatë vitit 2022 ka krijuar shpenzime shtesë (interesi) si rezultat i vendimeve gjyqësore /përmbarimore në vlerë 275,239 euro.

Raporti i Auditimit për vitin 2022 ka shpjeguar se për të siguruar që çdo faturë e vlefshme dhe kërkesë për pagim për mallrat dhe shërbimet e furnizuara dhe/ose punët e realizuara për organizatën buxhetore duhet të paguhen brenda 30 ditëve kalendarike pas pranimit të faturës ose kërkesës për pagim nga organizata përkatëse buxhetore.

Auditori gjithashtu ka theksuar se fatura mund të ekzekutohet direkt nga Thesari pas marrjes së urdhrit të prerë nga gjykata apo përmbaruesi.

“Neni 39 i LMFPP, përcakton ZKF-në e organizatës buxhetore përgjegjës për të siguruar që çdo faturë e vlefshme dhe kërkesë për pagim për mallrat dhe shërbimet e furnizuara dhe/ose punët e realizuara për organizatën buxhetore të paguhen brenda 30 ditëve kalendarike pas pranimit të faturës ose kërkesës për pagim nga organizata përkatëse buxhetore. Ndërsa, sipas nenit 40, fatura mund të ekzekutohet direkt nga Thesari pas marrjes së urdhërit të prerë nga gjykata/përmbaruesi”- sqaron raporti i auditorit.

Auditori ka gjetur se shuma e pagesave të realizuara nga Thesari, në bazë të vendimeve gjyqësore/përmbarimore ishte 1 milion e 133 mijë e 493 euro.

Sipas auditorit, prej tyre borxhi kryesor ishte 858 mijë e 254 euro, ndërsa 275 mijë e 239 euro ishin shpenzime të interesit dhe procedurale të gjykatës/përmbarimit, këto janë shpenzuar nga:

-Kategoria e pagave dhe mëditjeve borxhi kryesor ishte 602 mijë e 867 euro, ndërsa shpenzimet shtesë ishin 225 mijë e 83 euro.

-Kategoria e mallra dhe shërbime borxhi kryesor ishte 168 mijë e 316 euro, ndërsa shpenzimet shtesë ishin 22 mijë e 570 euro.

-Kategoria e investimeve kapitale borxhi kryesor ishte 87 mijë e 71 euro, ndërsa shpenzimet shtesë ishin 27 mijë e 586 euro.

Në raportin e Auditimit është shpjeguar se kjo ka ndodhur si rezultat i mos pagesës me kohë të obligimeve financiare dhe kërkesave për paga jubilare, ku pjesa më e madhe ishte për shujta dhe transport për implementimin e kontratës kolektive, si dhe pagesave ndaj furnitorëve.

Auditori ka treguar se pasojat që sjellin pagesat e realizuara përmes vendimeve gjyqësore, duke thënë se vështirësojnë realizimin e buxhetit sipas planifikimeve, respektivisht implementimin e projekteve.

Po ashtu, në raport është shpjeguar se pagesat e realizuara përmes vendimeve gjyqësore krijojnë kosto shtesë në emër të shpenzimeve gjyqësore dhe interesit.

Me këtë rast auditori ka rekomanduar se kryetari duhet të sigurojë disiplinën financiare që procesi i realizimit të pagesave të bëhet brenda afateve kohore të përcaktuar me bazën ligjore.