Komisioni për Legjislacion miraton Projektligjin për KPK-në, opozita e shohin problematik

Komisioni për Legjislacion ka miratuar sot Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Gjashtë deputetë kanë votuar pro dhe një kundër.

Deputetët e PDK-së nuk kanë marrë pjesë në votim kurse deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka votuar kundër.

Në komision për prezantim të projektligjit mori pjesë edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë se Projektligji përmban disa risi duke thënë se adreson përbërjen e KPK-së dhe rritjen e transparencës.

“Pas pranimit të aktgjykimit të Kushtetueses e kemi vazhdu trajtimin me prioritet. Siç kam theksuar edhe më herët, aktgjykimin e kemi trajtuar me kujdes. Këtë draft e kemi bërë pas një konsultimi me akterët kryesorë, kemi pasë mendime të ndryshme”- ka thënë ajo.

Deputetët e partive opozitare, LDK dhe AAK e kanë konsideruar problematik këtë projektligj.

Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka konsideruar se projektligji është kapje e sistemit prokurorial.

“Vlerësimi im dhe i LDK konsiderohet si kapje e dytë për shkatërrimin e sistemit prokurorial. Këtij ndryshime nuk i kanë marrë pjesë aktgjykimet e Kushtetueses e as rekomandimet e komisionit Venecias. Përpjekja e juaj për kapjen e një pushteti të pavarur është më tepër se shqetësim” – ka thënë ai.

Selmanaj ka thënë se për LDK-në projektligji është i papranueshëm.

“Ne si LDK do përdorim çdo mjet të kundërshtojmë këtë projektligj. Dje na është drejtuar BE besoj që edhe ju e keni pranu, se nëse i kishit përfill kërkesat e komisionit Venecias nuk e kishim pranu këtë letër” – ka deklaruar tutje ai.

Letrën e ambasadorit të BE-së për komisionin e Venecias e ka përmendur edhe Besnik Tahiri nga AAK, i cili tha se ky ligj është sfidu nga Gjykata Kushtetuese.

“E kemi një kërkesë nga ambasadori i BE që përmend komisionin e Venecias duke na sfidu ligjërinë. Në këtë letër thuhet se duhet zbatuar ligji sipas standardeve evropiane e hala pa u miratu ligji na kanë përmend komisionin e Venecias. Ministre ti e ke pru ligjin ne do të punojmë në të por e shoh si shumë problematik”- tha Tahiri.

Lidhur me këtë, ministrja Haxhiu ka thënë se Kosova është shembull në zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

“Sa i përket BE, nuk flas në emër të tyre. Kemi pasë diskutime, nuk i kanë kundërshtuar dhe jam shumë e vetëdijshme çka po them, nuk kanë thënë që kjo bie ndesh me komisionin e Venecias por kanë kërku që të dërgohet atje dhe të shihet nëse është në përputhje. Kosova është marrë shembull se si i zbaton rekomandimet e Venecias”- ka deklaruar Haxhiu.

Në mars, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.

Kushtetuesja ka konstatuar se disa nene të këtij Ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ligji për KPK-në u miratua në lexim të parë në prill të vitit të kaluar, ndërkaq në lexim të dytë në qershor të vitit të kaluar.