Komisioni për Çështje të Sigurisë diskuton për Projektligjin për Sigurinë Kibernetike

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka mbajtur një mbledhje me përfaqësues nga institucioneve të ndryshme të Kosovës dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Në këtë mbledhje është diskutuar Projektligji për Sigurinë Kibernetike, ku u morën komentet e pjesëmarrësve lidhur me këtë projektligj.

Mbledhja u hap nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i cili njëkohësisht është edhe anëtar i këtij komisioni.

Më pas, Artan Dreshaj nga Ministria e Punëve të Brendshme mori fjalën duke shpjeguar se cili është qëllimi i këtij projektligji, që u miratua më 14 shtator 2022 nga Qeveria e Kosovës.

Pjesëmarrësi nga Shoqata e Bankave të Kosovës u pajtua që në këtë projektligj ka përmirësim të dukshëm, duke cilësuar se në përgjithësi plotësohen kriteret e nevojshme.

Ndonëse, gjatë diskutimit u tha se janë disa përkufizime që kanë nevojë që të rregullohen me qëllim të lehtësimit të punës dhe moskeqkuptimit.

Nga ana e pjesëmarrësve u tha se në projektligj nevojitet që të parashihen edhe fushata vetëdijesuese për qytetarët për sulmet kibernetike.

Kjo pasi, u vlerësua që shumica e rasteve të sulmeve kibernetike ndodhin për shkak që qytetarët janë të pavetëdijshëm për sulme të tilla.

Projektligji parasheh edhe Agjencinë për Siguri Kibernetike – ASK. Mirëpo, kërkesë e pjesëmarrësve ishte që shkurtesa të mos mbetet e njëjta pasi mund të krijoj paqartësi tek publiku për shkak se me të njëjtin akronim është edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Një nga propozimet që erdhi ishte që agjencia në fjalë të quhet Agjencia për Mbrojtje dhe Siguri Kibernetike.

Qëllimi i Projektligjit për Siguri Kibernetike është që të përcaktojë parimet e sigurisë kibernetike, institucionet që zhvillojnë dhe zbatojnë politikën e sigurisë kibernetike, përgjegjësitë e autoriteteve në fushën e sigurisë kibernetike, detyrat e subjekteve të sigurisë kibernetike dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.

Ky projektligj po ashtu ka për qëllim parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik në Kosovë, kundër çdo kërcënimi apo sulmi, si dhe themelon Autoritetin Shtetëror për Siguri Kibernetike.

Fushëveprimi i këtij ligji është që të rregulloj standardet dhe kriteret minimale për mirëmbajtjen e sistemeve të rrjetit dhe informacionit të domosdoshme për funksionimin e shoqërisë, sistemeve të rrjetit dhe  informacionit të autoriteteve shtetërore, përgjegjësit dhe mbikëqyrjen, si dhe bazat për parandalimin, luftimin dhe trajtimin e incidenteve kibernetike.