Komisioni parlamentar miraton iniciativën për pensionet e zyrtarëve policorë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka prezantuar iniciativën e saj ligjore për Projektligjin për Pensionet e Zyrtarëve Policorë të Policisë së Kosovës dhe Punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili mori miratimin e komisionit.

Musliu tha se me këtë projektligj propozohet rregullimi ligjor i njohjes së të drejtës në pension për zyrtarët policorë të Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës, me autorizime policore.

Musliu shtoi se përmes këtij projektligji do të rregullohen e përcaktohen kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve, si dhe përcaktohet kategorizimi i pensioneve për pension.

“Me këtë projektligj janë propozuar katër lloje të pensioneve dhe atë si: pensionim i rregullt, invalidor, familjar dhe vullnetar” – shtoi Musliu.

Sipas saj Kosova është e re po ashtu edhe themelimi i institucionit të Policisë së Kosovës është i ri. Por sipas saj po rrezikohet që të jetë policia më e vjetër në rajon e më gjerë.

Deputetët e partisë në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje, thanë se ky projektligj është edhe premtim elektoral i partisë në pushtet.

Enver Dugolli anëtar i komisionit tha se nuk do të marrë pjesë në votim, pasi këtë iniciativë do ta pret kur të vijë nga qeveria.

“Ne që në fillim e kemi thënë ka qenë premtim i yni dhe do ta bëjmë ligjin për pensionim të Policëve të Kosovës, jemi të interesuar të bëjmë hapin e parë dhe shumë substancial që reformat e skemave pensionale të fillohet me të gjithë” – shtoi ai.

Dugolli tha se deputetët nga PDK e LDK dhe opozita në përgjithësi e kanë pas shansin që sa vite ta bëjnë këtë ligj për Policinë e Kosovës, por nuk e kanë bërë.

“Prandaj është radha jonë dhe ju kisha lut që ta shihni në këtë mënyrë se nuk është lojë ligji për pensionim të parakohshëm për Policinë e Kosovës. Na lini ne e kemi fitu mandatin e besimin e qytetarëve dhe ne do ta bëjmë. Por jo me nisma jo serioze, të pa kalkulume dhe ad-hoc vetëm sa për të thënë diçka dhe për të përfituar diçka në kuptimin elektoral. Nuk jemi në fushatë jemi në mes të mandatit ju kisha lut që nisma të tilla të jenë më serioz” – u shpreh Dugolli.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj tha se janë deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe “nuk kanë ardhur që të bëjnë lojëra”.

Ai shtoi se deputeti Enver Dugolli “nuk e di çka flet”.

“Ne jemi deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe nuk besoj që jemi ardh me bo lojna, po nganjëherë kolegu Enveri nuk e di as çka flet, ja fut kot se deputeti nuk vjen këtu me bo lojna po propozon ligje, amandamenton ligje sikurse të gjithë të tjerët. Ne jemi deputet si gjithë të tjerët dhe nuk ki kurrgjë më shumë se ne” – u shpreh Qalaj.

Qalaj tha se nuk është mirë për komisionin dhe për institucionet që të fillojnë me qëndrime të tilla.

“S’kemi bo opozitë kurrë kur kanë qenë në pyetje institucionet e sigurisë” – shtoi ai.

Edhe deputeti i LDK-së, Anton Quni u shpreh se në parim e japin përkrahjen për këtë projektligj.

Deputetja e LVV-së Shqipe Mehmeti Selimi kërkoi që mos të ndahen si deputetë të partisë në pushtet, pasi sipas saj LVV e mbështetë këtë projektligj por pret të vij nga qeveria.

“E rëndësishme është mos të na ndani neve si pjesë e partisë në pushtet dhe të thoni se ne nuk e përkrahim apo jemi kundër. Ne jemi për këtë ligj por presim që ky ligj të na vijë nga Qeveria nga Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme” – u shpreh ajo.

Kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, tha se “nuk ju ndau kurrkush, po e ndatë veten”.

Berisha tha se nuk kanë kohë për lojëra, ndërsa shtoi se me seriozitetin më të madh po kërkojnë konsensus për Policinë e Kosovës.

“Nuk më intereson iniciativa e kujt është, unë veç e di që është mirë për policinë”, shtoi ai.

Berisha, tha se do ta jap kontributin e tij edhe si kryetar i komisionit, edhe si deputet që kjo çështje të avancojë e të kalojë siç duhet.

Kryetari i Komisionit Bekë Berisha, tha se propozimi i deputetes së PDK-së Ganimete Musliu ka kaluar në Komision me 5 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim.