Miratohet Strategjia e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027

Komisioni për Çështje të Sigurisë me pesë vota për, dy kundër dhe një abstenim e ka miratuar Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027.

Enver Dugolli, zëvendëskryetar i Komisionit për Çështje të Sigurisë ka thënë se ishte takim pune në të cilin me kërkesën e deputetëve dhe të ftuarve u diskutua me dyer të mbyllura.

“Ne e mbajtëm takimin dhe diskutuam për dokumentin ndër më të rëndësishmit që na ka ardhur, Strategjia e Sigurisë së Kosovës e miratuar nga Qeveria. Ky është dokumenti apo strategjia e dytë e miratuar në Kosovë”, tha ai.

Sipas Dugollit, kjo strategji i identifikon rreziqet e ndryshme dhe i udhëzon institucionet si të veprojnë.

Anton Quni, anëtar i këtij komisioni tha se në këtë takim ka pas vërejtje bazike. Sipas tij, komisioni nuk ka qenë i përfshirë në hartimin e kësaj draft strategjie.

Quni tha se çdo anëtar ka shpreh sugjerime dhe mendime të cilat do të merren në konsideratë.

Sipas tij me forcën e votës u rekomandua që drafti i tillë të procedohet në parlamentin e Kosovës.

“Unë si anëtar i komisionit i kam dhënë vërejtjet e mia dhe besoj që Këshilli i Sigurisë duhet t’i merr në konsideratë”, tha ai.

Sipas tij nëse dokumenti pa ndryshim sjellët para deputetëve, do ta shfrytëzojnë mundësinë që të gjitha që u folën në komision t’i flasin në parlament.

Qunit ka thënë se ndër rrezikshmëritë që u përmendën në komision janë largimi i rinisë nga Kosova, gjendja sociale ekonomike, varfëria, që sipas tij duhet të merren në konsideratë para se të vjen drafti në Kuvend.

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka mbajtur me dyer të mbyllura takimin për të shqyrtuar Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027.

Në këtë mbledhje ishin të ftuar Major Vegim Krelani, nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Valon Gashi, sekretar i Këshillit të Sigurisë.

Strategjia e Sigurisë 2022-2027 diskutohet me dyer të mbyllura në Komision